Shqipëri-Itali, arrihët një tjetër marrëveshje për shtetasit shqiptarë. Ja për çfarë behët fjalë

Shqipëria dhe Italia po punojnë intensivisht për finalizimin e marrëveshjes për shtetasit shqiptarë që vuajnë heqjen e lirisë në Itali.

Ministria e Shtetit për Diasporën, thekson se, kjo marrëveshje do të jetë rezultat i grupit të punës për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që vuajnë heqjen e lirisë jashtë vendit, i kryesuar nga zëvendësministrja e Drejtësisë, Fjoralba Caka e cila është personi përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që vuajnë heqjen e lirisë jashtë vendit.

Për marrëveshjen për shtetasit shqiptarë që vuajnë heqjen e lirisë në Itali, foli edhe kryeministri italian, Giuseppe Conte, i cili në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama deklaroi se po punohet intensivisht me Shqipërinë për finalizimin e marrëveshjes.

“Kemi kryer një studim për bashkëpunimin tashmë intensiv në gjyqësor dhe polici. Unë përsëris angazhimin e Italisë për forcimin e këtij bashkëpunimi, me vëmendje të veçantë në luftën kundër krimit të organizuar dhe jam i kënaqur që mund të njoftoj se është arritur një marrëveshje edhe në sektorin e rëndësishëm të transferimit të të burgosurve shqiptarë, tashmë një transferim i parë do të realizohet së shpejti”, u shpreh kryeministri italian Giuseppe Conte.