“Dhe 10 palë zgjedhje të kemi, Lulzim Bashën do ta mundim, por…”- Zbardhen replikat mes Bushatit dhe Ballës

Draftrezoluta e Grupit Parlamentar të PS-së për ndërhyrjet e huaja në zgjedhjet shqiptare ka prodhuar një debat të fortë në Komisionin e Politikës së Jashtme.

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka kundërshtuar fort këtë dokument, i cili para komisionit u mbrojt nga kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla. Dy eksponentët e lartë të maxhorancës janë përplasur në mendime të kundërta për ndërhyrjet e shteteve të huaja në zgjedhjet në vendin tonë.

Ditmir Bushati, në fjalën e tij, kundërshtoi përmendjen e Rusisë si emër shteti i përveçëm në këtë dokument, duke theksuar se kjo është një gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë dhe se për çështje të tilla do duhet referuar strategjia kombëtare e sigurisë.

Ai kërkoi nga hartuesit e kësaj projektrezolute që të konsultohen me organet shtetërore shqiptare kompetente dhe të mos bazohen në dokumentet e fondacioneve dhe shoqatave që veprojnë në vendin tonë.

Balla u kundërpërgjigj, duke thënë se ky dokument përfaqëson vullnetin e vijimit të një politike 100% me atë të BE. Pas debateve dhe kundërshtive, në fund, Komisioni i Politikës së Jashtme e miratoi këtë draftrezolutë me votat e maxhorancës, por pa votën e Ditmir Bushatit, i cili u zëvendësua nga disa deputetë të opozitës së re.

DEBATI I PLOTË

Ralf Gjoni: Unë nuk kam parë ndonjë argumentim kaq të dobët për një çështje kaq madhore, siç janë financimet e huaja në fushatat elektorale. Kemi të bëjmë me akte që përbëjnë vepra penale, që dënohen me b urg. Nëse do e marrim në konsideratë në Parlament, pse nuk ka informacion nga SHISH dhe institucionet e tjera?

Ditmir Bushati: A është konsultuar iniciativa me qeverinë shqiptare? Para çdo lloj iniciative, ne duhet të kemi një opinion të firmosur nga qeveria, pasi është njëlloj sikur një nga ne të marrim një nisëm që TVSH-ja të hiqet fare dhe të mos ketë opinion nga qeveria? Më rezulton se asnjë prej parlamenteve kombëtare nuk ka shkuar deri në këtë proces, pasi natyra e PE është ndryshe. Duhet një informacion se cilat janë vendet që e kanë marrë një nismë të tillë. Ne marrim drejtimin e OSBE-së për pak kohë dhe kemi marrë disa zotime, prandaj te materiali që duhet të vijë nga qeveria, duhet të dimë qëndrimin e Italisë dhe Sllovakisë. Rezoluta e PE ka 20 dokumente të KE dhe agjencive të specializuara të BE ku nuk përmendet vetëm Rusia. I referoheni traktatit të BE-së, por ne nuk jemi anëtarë të BE-së, hajde t’i referohemi Kushtetutës sonë pasi ka disa nene. A është kjo rezolutë në përputhje me strategjinë kombëtare të sigurisë? Ky është dokumenti bazë ku mbështet siguria jonë kombëtare. Në këtë rezolutë mungon një komponent kritik, siç është prania e Shqipërisë në NATO, pasi nëse sillni tri pika: ndërhyrja në zgjedhjet, sulmet kibernetike dhe dezinformimin, unë ju them që NATO dhe ne kemi qëndrime dhe kemi këtë dokument që e kemi miratuar të gjithë së bashku. Në këtë rezolutë nuk thuhet sa është në përputhje me sigurinë kibernetike të miratuar nga qeveria shqiptare apo axhendën dixhitale të Shqipërisë 2014-2020. Qeveria shqiptare është në lartësinë e duhur, pasi na bën anëtarësia në NATO që të jemi në alert për këtë çështje. Të marrim një opinion të specializuar nga të gjitha institucionet shtetërore.

Taulant Balla: Nuk janë cituar të gjitha dokumentet e Parlamentit Europian, për arsye se ju e dini që ne jemi të aderuar në atë Konventë. Dhe nuk janë cituar dokumentet ku ne nuk jemi aderues. Ndoshta ju bën mungesa e eksperiencës, por ju duhet të dini që ju këtu nuk jeni komisioni përgjegjës për këtë çështje, por është Komisioni i Sigurisë Kombëtare.

Ralf Gjoni: Mos na ofendo, se ju të PS-së e keni bërë udhë…

Taulant Balla: Ju thatë që ky është referimi më i dobët që keni dëgjuar ndonjëherë në Parlament në eksperiencën tuaj 37-vjeçare dhe unë iu thashë që në këtë eksperiencë, ndoshta nuk e dini atë që ju thashë.

Taulant Balla: Në Komisionin e Sigurisë, kushdo që do të jetë i pajisur me certifikatën e duhur të sigurisë, do të jetë i ftuar të japë propozime konkrete, si ato që pati z. Bushati në lidhje me çështjet që lidhen me sigurinë kibernetike. Mos bëjmë sikur fshihemi pas gishtit, pasi sot në prokurori ka një hetim ndaj një partie politike lidhur me burime të dyshimta pas së cilave qëndrojnë financues rusë. Kjo draftrezolutë është e vonuar. Thirrja që bëhet nga kjo rezolutë, është që në ligjin për financimin e partive politike të marrim masa dhe të rrisim kapacitet kontrolluese të çdo lloj financimi. Rajoni i Ballkanit Perëndimor ne e dimë që ka tentativa për ndërhyrje, siç ishte rasti i fundit në Maqedoninë e Veriut.

Rudina Hajdari: Pse merremi me një rezolutë që është huazuar nga BE-ja dhe nuk i përket fare realitetit tonë? Për sa i përket rastit të kryetarit të PD-së, ai është një rast që i takon Prokurorisë, të vijojë procesi dhe pas përfundimit mund të flisni. Me këtë rezolutë, ju po bëni një rezolutë kundër shefit tuaj në thelb, që është autokrat. Nuk kemi pse të kemi frikë, pasi 98% e shqiptarëve mbështesin SHBA-BE.

Taulant Balla: Ky draft është shprehje e vullnetit të vijimit të një politike 100% me atë të BE-së. Vetë rezoluta e BE-së shpjegon që kjo qasje është e domosdoshme për vendet e BE-së, por edhe vendet aspirante. Kjo draftrezolutë evidenton nevojën tonë si Kuvend i Shqipërisë që të bashkohemi për këto çështje, qoftë ndërhyrjet e huaja ose edhe dezinformimi. Kjo është një shprehje vullneti për të qenë një linjë me BE-në dhe besoj se të gjithë këtu, nëse nuk do të ishin kamerat prezente, do të ishit të gjithë dakord. Nuk është vetëm Rusia, ne kemi renditur aktorë edhe nga vendet e treta. Dua të bëj një sqarim për atë që quhet rrjeti 5G. Ky është rrjeti me një shpejtësi të pakrahasueshme me rrjetet e mëparshme. Një operator në Shqipërinë ka shprehur idenë për ta ndërtuar këtë rrjet në Shqipëri. Nuk duhet të ngatërrojmë ndërtimin e rrjetit 5G dhe kompanitë e dyshimta që ndërtojnë këtë rrjet. Kur them për kompani të dyshimta, citoj se janë kompani që mund të përdorin të dhënat e transmetuara në këtë rrjet për qëllime të tjera. E rëndësishme është që ky rrjetm i cili do të përdoret të paktën për 10 vitet e ardhshme, duhet të jetë i ndërtuar nga kompani që kanë certifikimet e domosdoshme, pasi jemi anëtarë të NATO-s, synojmë të jemi anëtarë të BE-së dhe duhet të sillemi si të tillë.

Ralf Gjoni: Ju flisni për ndërhyrje ruse në Ballkan, por kush është këmba e Rusisë në Ballkan? Serbia! Kush po merret me Serbinë? Kryeministri Rama. Ky është një mesazh i qartë politik drejt një aleati të betuar të Rusisë në Ballkan.

Ditmir Bushati: Nuk ka, më besoni, në asnjë vend të botës që të çohet një deputet, aq më tepër i maxhorancës dhe të ndryshojë rregullat që janë të skalitura, doktrinën e sigurisë kombëtare nuk e ndërron dot Presidenti i Republikës, Kryeministri e jo më të bëhemi ne një grup deputetësh, sado që mund të themi se jemi demokraci parlamentare dhe të themi që ne ndryshojmë shkallën e rrezikut e i riklasifikojmë ndryshe aktorët. Nuk ka asnjë Parlament në Europë, që të merret me emra shtetesh, nuk ka as edhe një, asnjë në Ballkanin Perëndimor, as ato shtete që ju referuat, që kanë vuajtur nga ndërhyrjet. Ne duhet të bëjmë një dallim praktik mes influencës ruse, që ne i quajmë aktorë të tretë, dhe ndërhyrjes së huaj, që ndryshon rregullat e lojës apo që cenon vendin. Janë dy koncepte të ndryshme. Duhet të ndryshojmë edhe emërtimet, pasi Rusia sot nuk e përmend më Ballkanit Perëndimor, por i referohet një koncepti më të gjerë, që përfshin gjithë Europën Juglindore. Mos ta fusim veten në ujëra të turbullta, që nuk e ka futur asnjë Parlament. Nuk ka asnjë rezolutë të pas 1990 që të jetë marrë me emra shtetesh. Koha kur u shpallnim luftë shteteve ka mbaruar në 8 dhjetor 1990. Pse nuk shkojmë te dokumenti i strategjisë së sigurisë kombëtare? Kjo është pika janë orientuese, është dokumenti që na udhëzon se si duhet të mbrojmë interesin kombëtar. Prandaj po ju them, qeveria shqiptare dhe të gjitha instancat që janë në varësi të qeverisë shqiptare, ua them me garanci të plotë, që niveli i ndërgjegjësimit është maksimal, se jemi vend anëtar i NATO-s. Ju i pari s’duhet ta kishit lejuar atë rezolutë që të vinte pa pasur një referencë për NATO. U përmend këtu Lulzim Basha, që për mua nuk ekziston fare për këtë çështje. Dhe 10 palë zgjedhje të kemi, Lulzim Bashën jam i bindur që do ta mundim në ballafaqim elektoral. Por më intereson që ne të mos futemi në këtë banalitet. Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes që të marrim copy-paste në mënyrë të gabuar një dokument të PE, që vjen si shumatore e 20 dokumenteve që nuk kanë lidhje fare me Shqipërinë dhe që nuk i ka analizuar njeri. Këtu nuk është politikë, kush kujton se kjo është PS, PD, LSI etj., e ka gabim. Opozitë parlamentare, opozitë joparlamentare, e ka gabim. E ka thënë vetë Edi Rama, s’ka nevojë ta thotë asnjëri këtu. Nëse nuk i qërojmë hesapet ne politikisht me Lulzim Bashën, duke përfshirë aktorë të tjerë, e ka thënë Rama publikisht, kështu që pse duhet ta bëjmë ne këtë diskutim këtu. Unë do të thosha që ne duhet të kishim rolin kryesor në këtë proces, jo për të dhënë mendimin. Objektivat e kësaj rezolute janë në përputhje, unë them që nuk është. Por supozojmë që miratuam këtë dokument siç është. Jam Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, çfarë objektivash më keni vendosur si Kuvend? Z. Gjoni e ka të saktë kur thotë rreziku numër një për sigurinë kombëtare në Shqipëri është krimi dhe korrupsioni, e kemi pranuar vetë në 2014-ën dhe kemi bërë shumë mirë që e kemi pranuar, në këtë dokument. Sepse e dimë që ekziston. Rreziku kibernetik dhe ndërhyrjet e huaja janë prioriteti i tretë apo i katërt në këtë dokument dhe ka terminologji për mënyrën se si adresohet. Duam t’i kërkojmë llogari këtyre institucioneve që nuk e kanë bërë punën me këtë rezolutë. Po unë ju them që na duhet një qasje kombëtare për këtë proces.

Adnor Shameti: Iu lutem kolegeve t’i kursejnë leksionet e së drejtës ndërkombëtare.