Rama zbulon “sekretin”: Jam operuar në QSUT

Pasditen e së hënës u publikua në rrjetet sociale historia e 29-vjeçarit Erion Xhangolli nga fshati Barç i Korçës, i cili është i sëmurë dhe ka nevojë për trajtim mjekësor. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Rama, i cili ka dhënë sqarime për rastin në fjalë dhe i ka kthyer përgjigje komentuesve akuzues në rrjetet sociale. Rama shkruan se Erion Xhangolli, pas një aksidenti të rëndë përpara 8 vjetësh në Greqi, ka marrë mjekimin në shtëpi dhe familja nuk i është drejtuar ndonjëherë autoriteteve shëndetësore.

Rama u përgjigjet njerëzve që kanë hedhur akuza në drejtim të qeverisë, dhe i fton ata të kujtojnë se si ishin spitalet vetëm 6 vite më parë dhe njofton se vetë ministrja e Shëndetësisë ka bërë të mundur transferimin e djalit drejt spitaleve të Tiranës.

Rama shkruan gjithashtu se Erioni po merr shërbimin e duhur mjekësor në spitalin e Traumës në Tiranë. Pas publikimit të këtij lajmi nga Rama, kanë qenë të shumtë komentuesit që e kanë mbytur kryeministrin me pyetje nga më të ndryshmet.

Njëri nga komentuesit e pyet Ramën se “kur sëmuret vetë pse zgjedh spitalet jashtë.?” Kryeministri i përgjigjet duke i thënë se ai vetë ka kryer një operacion në QSUT gjatë kohës që ka qenë kryeministër. “Kush ta tha ty këtë apo e merr me mend zotrote?! Unë shyqyr s’jam sëmurur akoma, po një operacion të vogël para ca vitesh e kam bërë në QSUT që ta dish”, shkruan Rama.