Një këngë me çifteli për shpikjen e Lul Bashës!

Nga Alfred Peza

Lulzim Basha ka shpikur një formulë të re për funksionimin e sistemit demokratik, e cila ka rrëzuar të gjitha teoritë politike që nga koha e Revolucionit Francez, deri në ditët e sotme. Pasi eksperimenti i 30 Qershorit i doli me sukses të plotë dhe opozita e rrugës e udhëhequr me largpamësi prej tij, i fitoi të gjitha pushtetet në Shqipëri, Luli kërkon që këtë model të ri ta shpërndajë kudo në planet.

Ndaj për këtë Lulzim Basha sygjeron tani e tuje një botë pa zgjedhje, pa garë, pa fushata elektorale, pa vota e pa votime, pa programe politike dhe pa alternativa qeverisëse. Ja kush është formula e tij magjike për marrjen e pushtetit: “Ne kemi një plan për ta nxjerrë vendin nga kriza. Ne kemi një propozim për Reformën Zgjedhore të cilin ia kemi dorëzuar Edi Ramës dhe përfaqësuesve të tij. Ta marrë e ta zbatojë. Nëse nuk e zbaton dot, le të hapë krahun sepse jemi të gatshëm ta zbatojmë ne!”

Pra formula është fare e thjeshtë dhe pa kosto: Ikni ju, që të vijmë ne! Çohu hoxhë, që të ulet prifti! Të iki Rama, që Luli ynë të bëhet pak Kryeministër! Bukur. Pasi të zbatohet këtu, kjo zgjidhje fare mirë mund të aplikohet në çdo vend tjetër demokratik. Në këtë mënyrë bota rigjen ekuilibrat, paqen dhe harmoninë e përjetëshme. Kështu që gjithë ato përvoja, raporte, këshilla e sygjerime të kota që jep OSBE/ODHIR, SHBA dhe BE për Reformën Zgjedhore në Shqipëri janë thjeshtë harxhim krejt i panevojshëm kohe dhe nervash.

I frymëzuar nga kjo shpikje e paparë politike, një rapsod që rri çdo ditë tek oborri i SHQUP, ia mori menjëherë këngës me çifteli:
Një Komedi o të till-e/
kurrë o mos pafsha/
siç e sygjeron o more/
ky o Lulzim Basha…