Bllokimi i negociatave ndez opozitën, LSI dhe njerëzit e Berishës shtojnë presionet ndaj Bashës

Bllokimi i negociatave ka rikthyer divergjencat brenda opozitës. Gazeta e tha pak ditë më parë se mungesa e negociatave do të shfrytëzohet për të rinisur protestat për largimin e kryeministrit dhe dje janë dhënë sinjalet e para. Monika Kryemadhi dhe ish-deputeti Gent Strazimiri u shprehën hapur se duhet të nisë puna për largimin e Ramës. Sipas informacioneve, gjatë 3 ditëve të fundit ka pasur presion të shtuar ndaj Bashës. Që pas takimit në Luksemburg u bë e ditur se Franca ishte kundër dhe sipas burimeve, LSI, krerë degësh dhe ish-deputetë pranë Berishë ja kanë bërë të qartë kreut demokrat se kjo duhet të shfrytëzohet për protesta. Por nga ana tjetër, Basha duket se është në dilemë. PD do dalë me platformë për reformën zgjedhore. Edhe të premten në konferencë shtypi Basha u pyet për aksionin opozitar dhe ai preferoi të mos jepte detaje duke treguar se është pro zgjidhjes së krizës dhe jo për dhunë e revolta.

Reagon Kryemadhi

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në një deklaratë për mediat, deklaroi se ka ardhur koha për largimin e Edi Ramës. Kryemadhi ka fajësuar kryeministrin për vendimin negativ të BE për Shqipërinë, sipas saj më e pakta që mund të bëjë Rama është dorëheqja si një shenjë reflektimi. Mes të tjerash ajo deklaroi se i vetmi që bllokon integrimin e vendit është Rama, ndërsa listoi disa nga arsyet se pse BE vendosi t’i thotë “Jo” negociatave. “Shqiptarët kanë kuptuar qartë që Europa është me ta, por për fat të keq, shqiptarët dhe e ardhmja e tyre europiane, janë sot peng i një njeriu të vetëm, janë peng i Edi Ramës dhe i bllokimit të rrugës europiane vetëm prej tij”, ka deklaruar dje Kryemadhi. Teksa ka marrë shkas nga qëndrimi i BE, Kryemadhi ka marrë kritikat e BE duke i përdorur si sulm ndaj qeverisë, teksa shton se këto probleme që ka Shqipëria i ka sjellë kryeministri Rama. Kësisoj ajo ka marrë shkas së andejmi për të thirrur njerëzit që të ngrihen në protestë kundër qeverisë Rama, pasi sipas saj qeveria ka dështuar duke mos hyrë dot në BE.

“Të gjithë shqiptarët kanë kuptuar shumë qartë se me Edi Ramën, bashkimi me BE-në është një objektiv i pamundur, një ëndërr e parealizueshme për ta. Shqipëria s’është dhe s’mund të jetë kurrë peng i tij, dhe dorëheqja e tij është reflektimi më i pakët për përgjegjësinë e rëndë politike që rëndon mbi kryeministrin. Shqiptarët ja kanë dalë ta bindin Europën se janë pjesë e saj, se e duan Europën, se kërkojnë të jetojnë me standardet e saj të larta demokratike dhe ekonomike, ndaj dhe e mbështesin masivisht projektin e Europës së Bashkuar”, ka deklaruar Kryemadhi.

Strazimiri: Do nisim protestat

Përveç LSI dhe ish-deputetët pranë Berishës kanë shtuar presionet ndaj Bashës për të nisur protestat. Në një intervistë, Strazimiri tha se nuk ka rrugëzgjidhje tjetër veç protestave. “Protestat do të jenë të pandalshme. Një regjim i tillë kriminal siç u vërtetua në Bruksel me gojën e presidentit Macron dhe me 9 pikat e Bundestagut të përpiluara dhe mbrojtura nga kancelarja Merkel. Nuk ka rrugëzgjidhje tjetër vetëm se protestë, protestë, protestë deri në fund. Kurrë nuk janë falur të drejtat veçanërisht nga një narkobandë, dikujt që ja ka shkelur”, u shpreh Gent Strazimiri. Kjo tregon qartë se Meta e Berisha priten të shfrytëzojnë vendimin negativ për të rikthyer përplasjet. Sytë janë te Basha nëse do u bindet apo do vijojë të mbajë krahun e SHBA-BE.

Arbjona ÇIBUKU

/Agjensia e Lajmeve Sot News/