Humbje e rëndë për kryeministrin britanik

Kryeministri britanik, Boris Johnson, pësoi një humbje të rëndë në parlament ku deputetët votuan për të marrë nën kontroll procesin e Brexitit.

Më 328 vota për dhe 301 kundër, kundërshtarët e kryeministrit Johnson hapën rrugën për të paraqitur një projektligj të mërkurën me të cilën synohet të parandalohet largimi i Britanisë nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje me 31 tetor.

Kundërshtarët e kryeministrit përfshirë edhe një pjesë të konservatorëve, janë të vendosur të parandalojnë një Brexit “pa marrëveshje” për shkak të frikës se kjo do të dëmtonte rëndë ekonominë.

Kryeministri Boris Johnson, pak pas votimit tha se do të thërras zgjedhjet e reja, një vendim që kërkon dy të tretat e votave në parlament.

Udhëheqësi i laburistëve, Jeremy Corbyn, tha se dëshiron të kalojë ligjin që parandalon Brexitin pa marrëveshje para se të pajtohet me zgjedhjet e reja.

Kryeministri Johnson vazhdon të ngulë këmbë që Britania të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor kur edhe është caktuar afati.

Por ndërkohë që afron afati i 31 tetorit, BE-ja tha të martën se nuk kishte marrë ndonjë propozim nga autoritetet britanike për të kapërcyer këtë ngërç mbi bisedimet për Brexit-in.

Të 21 deputetët konservator që votuan kundër kryeministrit Johnson, përballen me përjashtimin nga partia. Në mesin e tyre është Nicholas Soames, nipi i ish udhëheqësit britanik gjatë Luftës së Dytë Botërore, Winston Churchill, dhe dy ish ministrat e financave, Philip Hammond dhe Kenneth Clarke. /VOA