U lanë përgjysmë me një krah e me një këmbë, Rama: 7 urat në Rrugën e Kombit përfundojnë për punë ditësh

Për pak ditë 7 urat në Rrugën e Kombit do të përfundojnë në të dy krahët. Lajmin e ka dhënë kryeministri Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale ku me ironi i quan 7 ‘gjysmëgjela’ me një krahë e me një këmbë. Urat në Rrugën e Kombit u lanë pa përfunduar në qeverinë Berisha, ndërsa Rama thotë se tashmë falë investimit të qeverisë së tij, do të jenë 7 ura spektakolare të hapura në të dy krahët e qarkullimit.

Për shkak se autostrada vinte dhe ngushtohej në çdo urë, ishin kthyer në burim aksidenti, por tashmë ngushtimi i kësaj rruge duket se do të marrë fund.

“EDHE PAK… punë ditësh dhe 7 “gjysmagjelat” me një krah e me një këmbë, në Rrugën e Kombit, ku vargu i makinave mblidhej për vite si në grykën e shishes dhe aksidentet ishin të vazhdueshme, do të jenë 7 ura spektakolare të hapura në të dy krahët për qarkullimin” shkruan Rama.

Pak më parë Rama postoi edhe disa foto krahasuese të transformimit të lumit që kalon mes Fierit duke e krahasuar me ‘Lanën’ në Tiranë.