Akuzat e PD-së/ Rama: Deri sa të dalë e vërteta ligjore, Valdrin Pjetri dhe PS i kanë rrugët e ndara plotësisht

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se deri sa të zbardhet e vërteta ligjore lidhur me akuzat e bëra nga PD-ja, Valdrin Pjetri dhe PS-ja i ka rrugët e ndara. Në një reagim të parë lidhur me këto akuza të njëpasnjëshme nga selia blu, kreu i qeverisë ka mohuar që të ketë pasur dijeni lidhur me dënimin e Pjetrit nga drejtësia italiane në vitin 2003. Ai shkruan se kurrsesi nuk e kishte menduar që Pjetri, do kishte gënjyer mbi të shkuarën e tij, teksa ka theksuar se kryebashkiaku i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, do të mbajë përgjegjësi dhe se pasojat e këtij veprimi do të jenë individuale.

“Jo Valdrini,po vëllai im të jetë,s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua,në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale.Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual! I edukuar,i zoti,i respektuar familjarisht në Shkodër e kudo ka punuar,po kjo s’mjafton më!Kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin,po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht. E me këtë rast,të tërë ta fusin mirë në kokë:Unë s’kam ndërmend të toleroj askënd dhe as të marr përsipër raportin individual me ligjin të askujt!Shkoj në luftë për çdo ide,qëllim a shok armësh,po kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky,as marr më,as lejoj më t’i marrë PS”, shkruan Rama.

Ditën e sotme, PD-ja nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi ka publikuar disa dokumente, që sipas tyre është kartela e nxjerrë nga kuestura e Firences e cila tregon se Pjetri ka qenë dënuar në Itali me 18 muaj bu.rg dhe një mijë euro gjobë për shpërndarje dr.oge. Nga ana tjetër, Pjetri i ka mohuar kategorikisht këto akuza, duke thënë se është i hapur për çdo lloj verifikimi.