TRE VJET NGA STARTI, “DREJTESIA E RE” NE SHQIPERI ENDE NE “VEND NUMERO”

Thuajse 3 vite nga dita kur ndryshimet kushtetuese u votuan me unanimitet parlamentar, ingranazhet e drejtësisë në Shqipëri po lëvizin më me vështirësi se kurrë. “Drejtësia e re” në vendin e shumëlakuar për kalbje të sistemit gjyqësor për shkak të korrupsionit galopant jo vetëm që nuk po ndihet apo perceptohet, por po duket gjithmonë e më e largët.

Vështirësitë në ngritjen e organeve të reja të drejtësisë, ishin parashikuar nga politika dhe ligjbërësit, por qytetarët po vuajnë koston e drejtësisë vonuar që sipas një postulati është edhe “drejtësi e mohuar”.

Mijëra qytetarë palë në procese gjyqësore në Gjykatën e Lartë kanë ngeluar në “vend numëro”. Ndërkohë mosekzistenca e Gjykatës Kushtetuese, e pasuar edhe me krizën politike, ka vënë në rrezik serioz balancimin e pushteteve dhe mbrojtjen e Kushtetutës.

ÇMONTIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE
Prej më shumë se një viti, Kushtetuesja, gjykata që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, ka pushuar së funksionuar.

Vendime të njëpasnjëshme të procesit të vettingut, shkalla e parë dhe e dytë, përjashtuan nga sistemi gjithë anëtarët e trupës së saj, duke lënë në detyrë vetëm Vitore Tushën. Gjyqtarja Tusha qëndron në funksion, ndonëse mandati i saj është i përfunduar. E vetme ajo nuk del dot në sallë gjyqi dhe as nuk shqyrton në dhomë këshillimi.

Gjykata u gjend në pamundësi të ushtrimit të funksionit normal në maj 2018, kur kuorumi i nevojshëm prej 5 anëtarësh për shqyrtimin e çështeve ra.

Nga ajo ditë, në pritje për të marrë verdiktin e kësaj gjykate, janë më shumë se 80 kërkesa.

Në këto kushte, nëse parlamenti miraton një ligj që mund të vihet në pikëpyetje shkelja e Kushtetutës, palët e interesuara nuk kanë ku e ankimojnë atë. Nëse Kryeministri apo Presidenti firmosin ndonjë akt që cenon Kushtetutën, askush nuk mund t’i rrëzojë ata.

Nëse një qytetar kërkon të dërgojë një çështje të tijën në Gjykatën e Strasburgut, nuk mund ta bëjë këtë, pasi më parë duket të ezaurojë të gjitha hallkat gjyqësore në vend, që kulmojnë në Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk ka siguri juridike. Nuk ka ndarje pushtetesh, s’ka ekonomi tregu dhe iniciativë të lirë si pasojë e oligopoleve dhe karteleve. S’ka mjete efektive për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe as garanci për respektimin e tyre. S’ka rend kushtetues, pasi nuk ka kush zgjidh konfliktet kushtetuese. S’ka pjesëmarrje në marrëdhëniet ndërkombëtare nëpërmjet traktateve pasi nuk ka kush shqyrton paraprakisht kushtetutshmërinë e tyre, sikurse kërkohet. S’ka ligjshmëri dhe as kushtetutshmëri.
Demokracia kthehet në oligarki me tipare të pastra diktature. Shteti i së drejtës dhe demokracia s’kanë asnjë kuptim dhe nuk mund të ekzistojnë pa këtë garanci”, shprehet avokati Jordan Daci për rreziqet që i kanosen një republike pa Gjykatë Kushtetuese.
Ndërsa avokati Ilir Dode e vë theksin tek cënimi i balancës mes pushteteve.
“Pa asnjë dyshim Gjykata Kushtetuese e cila ka rol thelbësor në garantimin e Kushtetues dhe të drejtave kushtetuese të të gjithë subjekteve të së drejtës në Republikën e Shqipërisë, është organi kryesor që ruan parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushtetit ligjvënës dhe atij ekzekutiv. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese prish këtë balancim pushtetesh dhe gjithashtu vihet re mungesa e dallimit të ndarjes së pushteteve”, shprehet Dode.
Përballë kësaj panorame, plotësimi i 9 vakancave në Gjykatën Kushtetuese është ende i largët.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka nisur punën për shqyrtimin e kandidaturave që kanë aplikuar për këto vende, por ata duhet të kalojnë më parë në sitën e vettingut, proces i cili kërkon mjaft kohë. Nëntë vakancat e Kushtetuese plotësohen nga 3 të zgjedhur nga Parlamenti, 3 nga Presidenti dhe 3 nga Gjykata e Lartë.
“Mungesa e Gjykatës Kushtetuese i heq kontrollin të dy pushteteve të tjera, pushtetit legjislativ dhe pushtetit ekzekutiv duke i dhënë mundësi këtyre pushteteve të dalin nga korniza kushtetuese në veprimtarinë e tyre.
Gjykata Kushtetuese vendos edhe per shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës dhe mungesa e kësaj gjykate krijon një President të paprekshëm nga shkarkimi”, vijon avokati Dode.
Edhe sikur të mos ekzistonte kriza e fortë politike e kohës parazgjedhore përplasjes me Presidentit dhe qeverisë, 3 anëtarë të Kushtetueses nga Gjykata e Lartë duken një mision i pamundur. Kjo, për faktin se vetë Gjykata e Lartë ka mbetur me 2 anëtarë.
40 MIJË DOSJE NË GJYKATËN E LARTË
Gjykata e Lartë numëron tashmë në trupën e saj vetëm dy anëtarë. Vettingu skualifikoi gjithë anëtarët e tjerë, duke bërë që asnjë prej kolegjeve të kësaj gjykate, as ai penal, civil apo administrativ, të mos shqyrtojë dot asnjë çështje të vetme.
Sipas të dhënave zyrtare, në sirtarët e kësaj gjykate, presin rreth 40 mijë dosje gjyqësore.
Në shuëm prej proceseve, palët janë më shumë se dy, por nëse i referohemi numrit të dosjeve, të paktën 80 mijë palë gjyqësore, presin të marrin një vendim nga gjykata për procese penale për të cilat mund të kenë bërë rekurs, për konflikte civile, mosmarrëveshje tregtare apo pronësore, e deri tek çështjet ku palë e paditur është shteti.
Sipas përllogaritjeve të ekspertëve, nëse një qytetar bën sot rekurs në Gjykatën e Lartë, atëherë do të duhet të presë 5-6 vjet për të marrë të drejtën e tij. Një kohë kjo e gjatë për të pritur të zotërosh një pronë, apo ta vësh atë në përdorim për qëllime ekonomike.
Aq më çmuar është gjatësia e kësaj kohë, nëse flasim për të pandehur që mund të mbahen në burg padrejtësisht, e që gjykatat më të ulëta mund të mos ju kenë garantuar një proces të rregullt.
Po ashtu kaq vite janë shumë për një qytetar që për shembull është pushuar padrejtësisht nga puna, dhe shkalla e parë dhe apeli mund t’u kenë dhënë të drejtë, por institucioni shtetëror e ka dërguar çështjen deri në Gjykatën e Lartë.
Edhe plotësimi i kësaj gjykate, duket i largët. Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 136 parashikon se: Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë zgjidhet nga radhët e gjyqtarëve me të paktën 13 vjet përvojë në ushtrimin e profesionit. Një e pesta e gjyqtarëve në këtë gjykatë përzgjidhet mes juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë si avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, juristë të nivelit të lartë në administratën publike ose në fusha të tjera të së drejtës. Kandidatët që përzgjidhen nga radhët e juristëve duhet të kenë gradë shkencore në drejtësi.
Deri më tani, KED nuk ka shpallur ende thirrjet publike për kandidatë për 17 vendet vakante për Gjykatën e Lartë, e jo më të shqyrtojë dhe vlerësojë kandidaturat.
INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË
Inspektori i Lartë i Drejtësisë është autoriteti shtetëror përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë.
Për verifikimin e ankesave ose hetimin e shkeljeve disiplinore ndaj subjekteve, Inspektori vihet në lëvizje bazuar në: ankimin me shkrim çdo të personi fizik, juridik ose organi publik të interesuar; ankimin me shkrim të Ministrit të Drejtësisë; ankimin me shkrim të Prokurorit të Përgjithshëm; ankimin me shkrim të secilit anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor ose të Këshillit të Lartë të Prokurorisë; ankimin me shkrim nga kryetari i gjykatës ku punon gjyqtari që dyshohet se ka kryer shkelje disiplinore; ankimin me shkrim nga drejtuesi i zyrës së prokurorisë ku punon prokurori që dyshohet se ka kryer shkelje disiplinore.
Deri më tani, janë në pritje 50 ankesa për prokurorët dhe 250 për gjyqtarët, që nuk ka kush t’i shqyrtojë. KLGJ dhe KLP nuk mund të shkarkojë sot një gjyqtar apo një prokuror, edhe pse shkelja e tyre mund të jetë e rëndë dhe e dukshme, pasi institucioni që duhet të hetojë prokurorin dhe gjyqtarin, ILD-ja, nuk ekziston ende. Publiku është njohur me raste të tilla edhe së fundmi, siç është për shembull, rasti i gjyqtarëve që shpëtuan nga burgu i përjetshëm Dritan Dajtin, proces i cili së paku krijoi një zhurmë të madhe politike.
Edhe zgjedhja e ILD-së, po has vonesa në zbatim. Në garë ishin si fillim vetëm tre kandidatë: Artur Malaj, Marsida Xhaferllari dhe Lefterie Lleshi, por KED në mënyrë ligjërisht të diskutueshme, me një raport nga Kuvendi, e rihapi garën duke futur në konkurrim emra të tjerë. Lista e kandidatëve mban tashmë 12 emra: Altin Hazizaj, Artur Malaj, Artur Metani, Elira Kokona, Eris Hysi, Genci Gjonçaj, Genci Ismaili, Klodian Rado, Lefteri Lleshi, Marsida Xhaferllari, Mimoza Qinami dhe Suzana Frashëri.Verifikimi, pikëzimi dhe renditja e tyre nga KED nuk ka shënuar asnjë hap të dukshëm përpara.

Armand Bajrami