Mesazhi i fortë i ministres për 8 Marsin: Respekt për ato gra që ia dolën duke sfiduar pengesat

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka uruar të gjitha gratë dhe vajzat për ditën e 8 Marsit.

Në mesazhin e saj, Spiropali ka kujtuar me respekt gratë të cilat nuk i shpëtuan dot dhunës primitive, si dhe gratë që dhe vajzat të cilat nuk u lejuan kurrë të shfaqin personalitetin e tyre.

“Sot më 8 Mars, dua të kujtoj me respekt të thellë gratë që nuk shpëtuan dot nga dhuna primitive, ato që nga ajo dhunë shpëtuan por nuk u shëruan, vajzat që nuk u arsimuan sepse nuk i lejuan, ato që u shkelën dhe u shfrytëzuan, vajzat e martuara me detyrim, ato që përfliten sepse guxojnë, ato që kurrë nuk u lejuan ta shfaqin personalitetin, por edhe të gjitha ato gra dhe vajza që ia dolën duke sfiduar pengesat, ato heroina trime dhe inteligjente të potencialit të pakufijshëm njerëzor që rri i fshehur tek vajzat e jashtëzakonshme shqiptare kudo ku janë, kudo ku vuajnë, kudo ku lodhen, kudo ku triumfojnë”, shkruan Spiropali.