Nga Bardhyl BEJKO/Lulzim Bashës i duket vetja Skënderbe

Sikur të mos mjaftonin ecejaket pafund nëpër Shqipëri, si të ketë vënë një bast të fortë me veten, kryetari i PD-së, i tmerruar nga dështimet e këtyre gjashtë vjetëve në krye të opozitës pa numëruar ato që kur i hyri politikës, duke mos arritur asnjë fitore të vetme në zgjedhjet e përgjithshme apo në ato lokale si dhe të pjesshme, ka marrë mbi vete misionin e vështirë të lodhet pafundësisht, duke ndarë ftesa për “dasmën” e 16 shkurtit. Të paktën një protestë madhështore do t’i zbuste disi dështimet e gjashtë viteve. Deri sot rezulton gjashtë me zero. Sikur të mos mjaftonin emisarët e shumtë të shpërndarë nga jugu në veri si në një mobilizim të përgjithshëm, para katastrofave natyrore apo pushtimit nga ushtritë e huaja që nuk e duan Shqipërinë, ai premton kudo ulje taksash, zerim pagese për energjinë, ujin, rimbursim fermerëve, asnjë pagesa nga studentët, luftë të pasurve, veprave që ata kanë bërë në tërë këto vite. Dhe në këtë udhëtim si në legjendë të ngjan se në rrugët e vendit lëvizin heronjtë mitologjikë, Muji dhe Halili nga “Tregimet e moçme shqiptare” në pritje të një ndeshje me bajlozin që i ka zënë portat e pushtetit.

Misionari Basha kudo që shkon, cilindo që kontakton, i bën vetëm një lutje. Ejani në protestën e 16 shkurtit në Tiranë. Unë ju premtoj! Unë ju garantoj! Unë ju them! Unë ju betohem. Unë do të jem, unë, unë… Betohem se do përmbysim qeverinë e krimit. Juve naftëtarëve të respektuar do t’u japim statusin special. Do keni një jetë të shkëlqyer. Ju të dashur minatorë do merrni pagesat që nuk i keni përfituar në tërë këto vite, duke punuar në thellësitë e nëntokës. Ju njerëzit e varfër të këtij vendi do merrni tërë pasuritë që kanë vënë pa mund oligarkët. Pasuria është e juaja. Ata e kanë përfituar nga bashkëpunimi me qeverinë e krimit. Shpronësim “bejlerëve” të rinj! Tatim i jashtëzakonshëm! Viti 1945?! Kujtoja se Basha është demokrat, përfaqësues i kapitalizmit dhe mbështetës i kapitalit dhe ekonomisë së tregut. Po kam gabuar. Ai flet si të ishte biri i Leninit. Apo ndryshoi programi i PD-së që deri sot është trumbetuar i djathtë? Ç`janë këto parulla e premtime ekstra të majta?! Po nuk ndalet këtu. Shkon deri në ekstrem me deklaratat se sa të vijë ai në pushtet të gjithë do rrëmbejnë lugët e do mbushin xhepat. Se ai do sjelli në këtë tokë të begatë lumturinë dhe mirëqenien, duke ia kaluar nga niveli i jetesës, jo vetëm Gjermanisë, se këtë e arriti Berisha, po edhe vetë SHBA. Premtime dhe deklarata më ekstreme dhe pa asnjë bazë deri sot së paku që nga vitet e para të çlirimit, ku shkruhej se plani dy vjeçar do sjellë lumturinë, se do jetojmë epokën e bollëkut të madh, se vendi ynë do arrinte standartet më të larta e parulla pa fund me të cilat ushqeheshin qytetarët e sapodalë nga lufta dhe klasat e përmbysura jetonin ankthin më të madh të së nesërmes po e dëgjojmë sot kur lideri i PD-së, si të ishte lajmëtari i të ardhmes. Asnjë doganë fjale, asnjë frenim në ato që u premton qytetarëve si të jetonim në vitin zero. Pasi ka grumbulluar disa problematika të cilat nuk mungojnë, ka kapitalizuar protestën e pedagogëve të opozitës, hallet që kanë naftëtarët, minatorët, banorët e “Unazës së re” si dhe shqetësime të individëve të veçantë, inatet e të përjashtuarve nga vettingu në drejtësi, nis rrugëtimin me qindra km për t’u premtuar këtyre shtresave dhe individëve se do u zbresë qiejt dhe do t’u sigurojë jetën me ato që do investojë dhe taksat që do zerojë.

Kur dëgjon Bashën, thirrjet pa fre dhe pritmëritë që kërkon t’u injektojë qytetarëve, të duket se sapo është zgjuar nga gjumi i gjatë. Se ka zbritur mes nesh Mesia, duke përcjellë mesazhin hyjnor për një jetë të ndritur pa të varfër, pa të pasur të gjithë super të kamur. Demagogji brilante. Kush dëgjon fjalimet e Lulzimit, zërin e ngritur, pozat që merr për të kumtuar sihariqet e mëdha e kupton sa larg realitetit është “Kryeministri” në pritje. Sa fals është në ato që premton. Sa i pabesueshëm, kur kërkon të na mbushë mendjen se do përmbysi gjithçka. Se do frenojë trafikun e qenieve njerëzore. Se shqiptarët sa të vijë në pushtet shpëtimtari, jo vetëm që nuk do kërkojnë të largohen nga parajsa jonë, po edhe të larguarit do kthehen për të shijuar epokën “Basha”. I emocionuar, i prekur nga takimet me njerëzit, i habitur nga duartrokitjet dhe fjalimet e tij, duket se ka kaluar në delir. Kujton se ka përballë ca injorantë që hanë gjithçka që u servilet, si të ishin ca fëmijë që gënjehen me karamele apo me qindarka. Premtimet hiperbolike, deklaratat pa sens për ato që përpiqet tu injektoj militantëve të tij, janë vërtetë për të qeshur dhe për të mos e marrë seriozisht “Kryeministrin’ në hije. Nuk ka shqiptar që e dëgjon dhe nuk pyet veten: Si do t’i arrijë tërë këto që thotë dhe me çfarë buxheti do ngrejë një ekonomi sfiduese me tërë ekonomitë përreth? A është e mundur që të zerohen taksat kur në vendin e demokracisë në SHBA apo Gjermani nga ka marrë edhe ekspertizën deklarojnë se: “Dy gjëra janë të sigurta, vdekja dhe taksat”? Si është e mundur të mashtrojë kaq keq një politikan, që nuk mësoi asgjë në tërë këto vite qëkurse hyri dhëndër në PD përmes KOP-it? Si mund t’i besohet ish kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që në katër vite nuk vuri një pllakë në trotuare dhe nuk ndryshoi asgjë në rrugë e shërbimet publike, që nuk vuri një tullë në qytetin studenti, që nuk bëri asgjë për të na thënë sot se ja ky është modeli im dhe ky do jetë edhe modeli i së ardhmes në krye të qeverisë? A mund të merret seriozisht së paku nga pjesa më e madhe e popullit një ish ministër, që humbi në gropat e “Rrugës së Kombit” 230 milionë dollarë dhe na la një rrugë për turp të zotit, pa ura, pa nën e mbikalime? Apo do na flasi për përvojën si ministër i Brendshëm, ku pushkatoi në mes të bulevardit katër bij nënash të pafajshëm? Me se do na e mbushë mendjen që ta besojmë se vërtetë duhet të presim mrekullinë dhe se kjo arrihet vetëm me një kapërcim të Bashës nga karrigia e opozitës në atë të kryeministrit? Kur flet para disa dhjetra militantëve apo edhe mijëra mbështetësve dhe merr duartrokitje nuk do të thotë se ke gjetur çelësin e suksesit! Se suksesi nuk vjen nga grumbullimet, takimet, protestat të qeta apo të dhunshme qofshin. Po duke bindur popullin se je më i miri. Më i zoti. Më argumentuesi. Më i pastri. Po deri sot Basha nuk e ka fituar këtë staturë, nuk e ka krijuar këtë frymë. Përkundrazi. Ai është larguar edhe më shumë nga realiteti i shqiptarëve sepse ka folur si të ishte njeriu i mbërritur këtë çast në tokën që quhet Shqipëri. Mosbesimi ndaj tij ka ngjitur majat dhe këtë e tregojnë gjithë protestat e derisotme veçanërisht ajo e studentëve, të cilët i vunë përballë sinjalin “stop”. Ka folur dhe trumbetuar si të ishte pa të djeshme. Sikur të ketë një mal me arritje dhe suksese. Si të ketë fituar tërë betejat elektorale.

Në fakt Basha ka humbur veç qetësisë edhe modestinë. I është larguar pafundësisht logjikës dhe realitetit. Ai ka krijuar një realitet virtual. Një botë që është vetëm e PD-së dhe e tij personale. Një shoqëri sikur të është një copëz oaz, ku mund të eksperimentojë republikën e ëndërruar. I duket sikur para syve nuk ka një popull të rrahur me vaj e uthull, një shoqëri që ka bërë një marrshim të vështirë në tërë këto vite dhe është kalitur dhe emancipuar, është bërë më e ditur më demokratike dhe nuk mund të thotë amin sapo të hapë gojën lideri i PD-së, i cili më shumë se entuziast duket si i zënë në çarkun e pesimizmit dhe frikës për betejat që vijnë. Se mund ta llogarisë sukses që në Krujë a në Ballsh disa individë që i bashkohen e presin me buzëqeshje dhe i ngjan sikur atje në ato pak metër katrorë janë tre milionë shqiptarë, njëqind përqind votuesit e Bashës. Jo, populli është pafund dhe nuk mund të bindet as me slogane, as me hajmali, as me lutje dhe as nga emisarët që bredhin nëpër Shqipëri me kanistra në duar në grumbullimin e protestuesve. Nuk mund të bëhet politik duke premtuar qiejt. As duke mashtruar. Aq më pak duke i gjykuar ata që të dëgjojnë si qenie pa ndërgjegje e të paditur. Kjo do ishte fatale sot e nesër për një lider që kërkon pushtetin. Se po të arrihej kaq kollaj, të gjithë do ishin në krye të vendit sa hap e mbyll sytë. Po të fitohej duke djegur një bunker apo shkulur ca pemë, duke shqyer pllakat e trotuarëve apo hedhur shashka e tymuese, dinamit, djegur goma e kazanët e mbeturinave, atëherë pushteti do ndërrohej përditë këtu tek ne.

Kur premton shumë dhe flet pa menduar, pa bërë llogari se ato që thua i dëgjojnë të gjithë, të varfër, të papunë, ata që jetojnë pa dritë apo u mungon buka e gojës se të ndjekin bizneset, fermerët, policët e intelektualët mund të rrëshqasë gjuha dhe të lëshosh thirrje që të bëjnë karnaval e të pabesueshëm, qesharak, bile edhe objekt humori. Dhe Lulzim Basha e ka arritur këtë stad derisa nga tribuna në takime me popullin krutan, meqenëse ishte në qytetin e Skënderbeut, pranë kështjellës, ku ai shkroi historinë dhe e bëri Arbërinë të njohur në tërë botën me trimërinë dhe betejat që zhvilloi, iu drejtua militantëve me thirrjen legjendare: U ftoj të ngrihemi si 500 vjet më parë në luftën për shpartallimin e osmanëve. Le të tregojmë se kush jemi! Dhe në këtë thirrje kushtrim nuk mund të flitet më për një Bashë të zakonshëm që bën punën e tij për të bindur shqiptarët për ta ndjekur. Këtu kapërcehet çdo modesti dhe përmasë njerëzore. Oratori merr poza sikur të ishte Heroi ynë Kombëtar, vet Skënderbeu. Deri sot asnjë politikan në emër të vet nuk e ka bërë një thirrje të tillë. E kanë bërë partitë. Fronti i LANÇ-it në vitet e luftës, po jo një lider partie në demokraci, i cili u arratis shumë larg, pesë shekuj për të evakuar historinë e ndritur të Skënderbeut. Guxim i madh ky për një partiak të shekullit 21. Guxim prej të çarturi. Dhe për një bashkim të tillë që nuk ka asnjë lidhje e asnjë kuptim. Mirë Skënderbeun e mësuam. Është vetë Basha. Po osmanët kush janë vallë? Jemi ne populli i paditur që presim Skënderbeun të na udhëheqë ndër beteja për të përmbysur mazhorancën e sotme për t’i dhënë fronin Bashës? Janë tërë ata që kanë deleguar në pushtet një mazhorancë me vota të ligjshme? A e llogarit Basha veten deri sa e ka hapin? Si mundet të barazohet me Skënderbeun e të imitojë Heroin tonë? Pastaj, vërtetë e mendon se jemi të pushtuar nga osmanët dhe pritet Skënderbu i ri të na çlirojë? Mos vallë atje në Krujë i duket vetja si Skënderbe dhe flet si të ishte vetë Ai, heroi ynë që luftoi kundër osmanëve? Nëse në Krujë u llogarit si Skënderbeu, po në Gjirokastër si do thotë, në emër të kujt do flasi? Të Enverit për mobilizim kundër pushtuesve për një Shqipëri të lirë? Po në Durrës me cilin do konvertohet, me Mujo Ulqinakun e 1939-ës? Po në Lushnjë do flasi si Sulejman Delvina? Po në Vlorë do i duket vetja sikur është duke ngritur flamurin me Ismail Qemalin? Po në qytetet e tjera? Basha ka kohë që i duket vetja se është heroi ynë i ri. Po të flasi në imitim dhe barazojë veten me figura që kanë shpëtuar Shqipërinë, të imitojë kaq trashë, kjo kapërcen çdo cak. Është vërtetë delir të të duket se je Skënderbeu i kohëve moderne!