Zbardhet plani i PS për të larguar Ilir Metën nga drejtësia, më 31 maj miratohet vendimi që i hap rrugë KLGJ e KLP, ndërkombëtarët ultimatum të shkrihet KLD

Këshilli i Lartë i Drejtësisë brenda pak muajsh do të shkrihet. Javët e fundit dikasteri i drejtuar nga Ilir Meta është përfshirë në disa skandale, pasi 16 gjyqtarë të përfshirë në afera, nuk u shkarkuan nga detyra. Duke marrë shkas dhe nga këto fenomene, mazhoranca është vënë në lëvizje që të shkrihet sa më shpejt ky institucion dhe të ngrihet Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Komisioni i vetingut ka mbyllur procesin e verifikimit për disa prej kandidatëve dhe shumë shpejt do të zhvillohen seancat dëgjimore. Por në fillim të qershorit do të jetë Parlamenti ai që do të ushtrojë presion ndaj institucioneve që të mbyllin sa më shpejt procedurat. Mazhoranca ka depozituar një projektvendim, ku parashikohet ngritja e një komisioni i cili do të mbikëqyrë dhe asistojë në ngritjen e organeve të reja të drejtësisë, KLGJ, KLP, SPAK, BKH apo Inspektoratin e Drejtësisë. Të enjten që lamë pas u mblodh Konferenca e Kryetarëve dhe projektvendimi është futur në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Plani është që drafti të miratohet në seancën plenare të 31 majit. Sapo të bëhet miratimi, menjëherë do nisë puna dhe pritet që brenda 2 javëve të para të qershorit të ngrihet komisioni, i cili do të përbëhet nga 5 anëtarë, të cilat do të zgjidhen nga fusha e drejtësisë dhe nuk do të kenë lidhje me politikën. Gazeta u interesua pranë mazhorancës dhe plani është që KLGJ dhe KLP të ngrihen brenda 2 muajve në vijim. Sapo Komisioni i Pavarur të ngrihet, ai do të kërkojë që kandidatët për në KLGJ dhe KLP të jenë prioritet i vetingut. Pasi të mbyllet procesi për ta, atëherë do kërkohet nga Gjykata e Lartë dhe nga Prokuroria e Përgjithshme që të mbledhin Konferencën Gjyqësore dhe Këshillin e Prokurorisë, ku duhet që të zgjedhin nga 6 anëtarët e KLGJ dhe të KLP. Pas këtij veprimi, dy organet e reja do të jenë gati, pasi 10 anëtarët nga radhët e juristëve dhe shoqëria civile tashmë janë zgjedhur. Plani i mazhorancës është që deri në shtator KLGJ dhe KLP të jenë gati.

Ndërkombëtarët rrisin presionet

Ngritja e organeve të reja të drejtësisë do të thotë largim të president Ilir Meta nga sistemi i drejtësisë. Sipas parashikimeve në ligj, sapo të përzgjidhen të gjitha anëtarët e KLGJ, KLD do të pushojë së ekzistuari dhe anëtarët e saj do të shpërndahen. Një burim i tha gazetës se Parlamenti e ka ndërmarrë këtë nismë pas kërkesave të vazhdueshme të ndërkombëtarëve, teksa ka pasur asistencë dhe prej tyre. Përfaqësues të organizatave që po asistojnë në reformën në drejtësi kanë kërkuar që të ecet sa më shpejt me procesin e ngritjes së organeve të reja të drejtësisë. Ata kanë kërkuar që KLGJ dhe KLP të ngrihen brenda këtij viti dhe kjo ka bërë që PS të vihet në lëvizje. Pra duket se ndërkombëtarët në mënyrë të tërthortë po këmbëngulin për shkrirjen e KLD dhe ngritjen e KGLJ dhe KLP, në mënyrë që t’i jepet fund ngërçit të krijuar prej muajsh në drejtësi. KLD momentalisht është institucion me shumë pak kompetenca, pasi mund të bëjë vetëm transferime gjyqtarësh, por ka shkelur dhe ligjin. Gjatë kohës që drejtohej nga Bujar Nishani, kërkesat e Ministrisë së Drejtësisë për shkarkimin e 13 gjyqtarëve nuk u futën në rend dite sikundër e parashikon ligji. Ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve parashikonte që 6 muaj nga hyrja e tij në fuqi, duhet të ezaurohen të gjitha kërkesat e ministrisë për procedime gjyqtarësh, por KLD nuk futi në rend dite asnjë kërkesë, edhe pse ishin 16 të tilla. Këto kërkesa u ridepozituan nga ministrja Etilda Gjonaj, por KLD nuk pranoi shkarkimin e gjyqtarëve. Duket se kjo ka vënë ndërkombëtarët përballë një emergjence dhe tani po kërkohet ngritja me urgjencë e KLGJ dhe KLP.