Thellohen përplasjet në opozitë, Basha kundër Kryemadhit për bojkotin e komisioneve, baza e PD irritohet me zgjedhjet e reja në parti

Thellohen përplasjet në opozitë, por dhe vetë brenda Partisë Demokratike. Në një kohë kur po flitet për aksion të përbashkët opozitar, PD dhe LSI duket se nuk po koordinojnë më veprimet mes tyre. Kreu demokrat Lulzim Basha ka dalë hapur edhe njëherë kundër kryetares së LSI, Monika Kryemadhi sa i takon aksionit opozitar. Kjo për faktin se Partia Demokratike mblodhi dje grupin parlamentar ku diskutoi për aksionin politik të javës. Por edhe pse mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura, gazeta ka mësuar nga burime pranë selisë blu se Basha u ka bërë të ditur deputetëve se do të vijohet me bojkotimin e komisioneve parlamentare edhe këtë javë, pavarësisht qëndrimeve të LSI, e cila është kundër bojkoteve. Detaj që u vu re dhe ditën e djeshme në komisionet parlamentare ku deputetët e LSI, Nasip Naço dhe Silva Caka morën pjesë në Komisionin e Ligjeve, ndërkohë që deputetët e PD e bojkotuan. Por megjithatë ajo ç’ka bie në sy është se PD dhe LSI prej kohësh nuk po koordinojnë me veprimet dhe se bashkëpunimi mes e tyre po ngjall dyshime pasi dhe vetë deputetët e të dyja forcave nuk po e pëlqejnë këtë aleancë.

PD përcakton aksionin kundër qeverisë

Kreu demokrat Lulzim Basha në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar ka dhënë dhe porositë e javës për deputetët në lidhje me aksionin opozitar. Përveç bojkotimit të komisioneve, gazeta ka mundur të mësojë se aksioni i PD do të jetë më i gjerë dhe do vijojë të jetë i përqendruar kryesisht në nxjerrjen e skandaleve të qeverisë. Sipas burimeve të gazetës pranë selisë blu, kreu demokrat Lulzim Basha u ka kërkuar deputetëve që të vijojnë me denoncimet kundjet ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe të mos lejojnë që të shkëputet vëmendja nga ky i fundit. Ndërkaq, burimet i thanë gazetës se Basha u tha deputetëve që këta të fundit përveç çështjes “Tahiri”, të fokusohen dhe të bëjnë denoncime edhe tek çështja e hotelit Plazza si dhe si dhe bankës “Abi Bank”. Më tej, kreu demokrat theksoi para deputetëve se ata duhet t’i kushtojnë një vëmendje të veçantë edhe çështjes së lojërave të fatit. Pasi sipas kreut demokrat skandalet në këto çështje janë shumë të mëdha dhe se qeveria duhet të japi llogari para qytetarëve, të cilëve sipas Bashës, po u vidhen lekët. Ndërkaq, Basha përpara se ta mbyllte mbledhjen u kërkoi deputetëve që të vijon me mbështetjen e protestave lokale si dhe t’i inkurajojnë këta të fundit që të ngrihen në protesta me faktin se opozita do u qëndrojë në krah dhe se nuk do lejojë që të kërcënohen nga qeveria.

Baza e PD irritohet me zgjedhjet e reja në parti

Por teksa kreu demokrat ka përcaktuar dje aksionin politik të javës, problemet në PD janë shtuar akoma më shumë. PD do të shpërndajë këtë javë nëpër baza udhëzimin për të zhvilluar zgjedhje të reja për kryetarë për shkak të performancës së dobët të këtyre të fundit në zgjedhjet e qershorit. Por teksa pritej që ky udhëzim të ishte një hap drejt bashkimit të PD, gazeta ka mësuar nga burime të sigurta se ka filluar një përplasje mes krerëve të degëve dhe Bashës. Shumë kryetarë degësh kanë dal hapur kundër këtij vendimi për faktin se janë zgjedhur në krye të degëve në shkurt të 2016, ndonëse sipas statutit ata kanë të drejtë që të qëndrojnë në detyrë vetëm gjatë periudhës së mbledhjes mes Kuvendeve të PD, pra për një periudhë 4 vjeçare. Në kuadër të kësaj pike krerët e degëve i kanë thënë Bashës që ka qenë ky i fundit ai që nuk ka respektuar statutin dhe se duhet të marrë në konsideratë dhe zgjedhjen e këtyre të fundit pasi nuk e kanë përmbushur mandatin e tyre, ndonëse u mblodh Kuvendi. Ndërsa, sa i takon çështjes së humbjes së zgjedhjeve, sipas kryetarëve të degëve shkak i humbjes është bërë marrëveshja e 17 majit Rama-Basha dhe jo performanca e tyre. Madje, sipas informacioneve të gazetës një pjesë e krerëve të degëve e kanë kërcënuar Bashën se nëse do vijojë të drejtoj me egoizëm dhe nëse nuk do të marr parasysh kërkesat e tyre, këta të fundit do të largohen drejt Partisë Agrare Ambientaliste, të Agron Dukës./Endri ARIZI