Soue: Ja çfarë më ka thënë Kievo për të ardhmen

Ali Soue është pretendenti kryesor për të fituar “Këpucën e Artë” në Kategorinë Superiore. Sulmuesi nga Gambia ka bërë një ecuri të shkëlqyer me fanellën e Skënderbeut, ku në 34 takime ka shënuar 20 gola, një më shumë se “ylli” i Kukësit, Sindrit Guri.

Në një intervistë të dhënë së fundmi për “Supersport”, Soue tregon se fitimi i “Këpucës së Artë” do të ishte diçka e mirë për të. 23-vjeçari ëndërron edhe fitimin e Kupës së Shqipërisë, ku në finale do të ndeshen ndaj Laçit.

“Do të ishte diçka e mirë “Këpuca Artë”. Janë dhe dy ndeshje, por nuk ka mbaruar asgjë. Do të përpiqem të shënoj sa më shumë dhe pastaj do të bëj llogaritë. I jap merita vetes, stafit që më ndihmoi të punoj. Ndihem mirë fizikisht dhe kjo është më e rëndësishmja që më bëri mirë për të qenë deri në fund në gjendje optimale.

Kur erdha këtu, e kam ëndërruar një ecuri të tillë, sepse erdha për të fituar gjithçka. Jam i kënaqur. Kemi përpara Kupën e Shqipërisë, por dhe ‘Këpucën e Artë’. Gjatë kësaj periudhe më ka ndryshuar personaliteti si lojtar. Shoh që kam ndryshuar shumë duke punuar, duke u përpjekur të fitoj gjithçka.

Më kanë pritur mirë këtu. Te Skënderbeu ka djem të shkëlqyer. Osmani është i çmendur, por është një djalë i mirë. Ka zhurma për të ardhmen time. Kievo më kanë thënë që nuk do të flasin me asnjë deri në fund të sezonit” u shpreh Soue.