Reforma në qeveri, zbardhen emrat e ministrave më të denoncuar nga qytetarët, shtatori sjell furtunë dhe në radhët e zv/ministrave

Shtatori do të sjellë furtunë në radhët e mazhorancës. Kryeministri deklaroi në Asamble se do të ketë ndryshime ministrash, por duket se ata nuk do të jenë të vetmit, pasi në rrezik janë dhe zv/ministrat, krerët e drejtorive rajonale, krerët e degëve të PS, si dhe vetë kryebashkiakët, pasi shumë prej tyre nuk do të rikandidohen. Gazeta ka mësuar disa detaje mbi bazë të komponentëve që do të ndjekë kryeministri sa i takon punës së secilit ministër. Nga kjo javë do të ketë një tur takimesh në të gjitha qytetet e vendit, ku qytetarët do pyeten mbi punën e secilit ministër, apo dhe problemet që ata kanë. Ministrat që rezultojnë me më shumë ankesa rrezikojnë largimin, ndërsa po ashtu do ikin dhe drejtorët, zv/ministrat dhe persona të tjerë që kanë qenë përgjegjës për fushën ndaj të cilës ka denoncime. Por një komponent i rëndësishëm që do të merret parasysh është dhe Platforma e Bashkëqeverisjes. Qeveria ka hapur portalin “Shqipëriaqëduam” dhe aty çdo qytetar mund të denoncojë shkelje, afera dhe çështje të tjera nëpër institucione. Gazeta ka bërë një bilanc të ankesave gjatë 5 muajve të fundit në këtë portal, duke nxjerrë fushat ku ka më shumë ankesa dhe përkrah tyre dhe emrat e ministrave. Dy dikasteret ku qytetarët vijojnë të jenë të pakënaqur janë Hipoteka dhe ALUIZNI. Në platformë është Ministria e Drejtësisë ajo që mban rekordin e ankesave, në drejtim të saj ka pasur 1266 ankesa, ku shumica janë në Hipoteka dhe më pas në ALUIZËM, sistem burgjesh, etj. Sipas raportit, ministrja Gjonaj u ka dhënë zgjidhje shumicës dërrmuese të ankesave. Por kjo tregon se edhe pas afro 1 viti qeverisje, sërish Hipoteka mbetet shqetësimi kryesor. Një vit më parë kryeministri nisi një tur dëgjesash nëpër qytete dhe në atë kohë ankesat kryesore ishin pikërisht për Hipotekën dhe ALUIZNI-n.

Ministrat e tjerë

Sipas Platformës së Bashkëqeverisjes, 3 sektorët e tjerë më problematikë janë Financa, Arsimi dhe Energjia. Më konkretisht, në adresë të Ministrisë së Arsimit kanë mbërritur plot 408 ankesa nga qytetarët për korrupsion dhe probleme në zyrat arsimore, shkolla dhe universitete. Më pas vjen Ministria e Energjisë me 391 ankesa, sa i takon kryesisht problemeve me faturimet dhe punësimet, pasi sektori i punësimeve kaloi te kjo ministri. Ndërsa ministria e katërt është ajo e Financave, ku ka pasur 388 ankesa. Dikasteret e tjera ndaj të cilave ka ankesa janë: Shëndetësia, Mjedisi, Rendi, Bujqësia, Mbrojtja, Punët e Jashtme, kultura dhe diaspora.

Sektorët e tjerë që do reformohen

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla, dha detaje dje si takon reformës që do të ndërmarrë kryeministri në qeveri. Në një bashkëbisedim me gazetarët, ai tha se në test do jenë dhe zv/ministrat apo drejtorët. “Ne fillojmë prej sot një llogaridhënie publike në të gjitha nivelet, që do të thotë nga kryeministri tek drejtuesit politik të qarqeve, ministrat e kabinetit, zv.ministrat e më pas kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e të gjitha shërbimeve publike, kalojnë përmes një dhënie llogarie përpara qytetarëve në komunitetet e tyre. Në të 321 njësitë administrative të vendit, në të 61 bashkitë, në 12 qarqe qytetarët janë të ftuar që të marrin pjesë në këtë analizë. Ne e konsiderojmë të nevojshme të komunikojmë me ata gjithçka që kemi bërë në këto 6-7 muaj të parë të mandatit tonë të dytë”, tha Balla. Gjithashtu, Balla deklaroi se, koha kur qeveritë japin llogari para popullit vetëm një herë në 4 vjet, ka marrë fund me 25 qershorin e vitit të kaluar dhe se është meritë e qeverisë që Shqipëria mori rekomandimin pozitiv, pa asnjë kusht për hapjen e negociatave