RAMA: LSI S’KA QENË PARTI PUNËSIMESH

Zevendës-kryetari i LSI-së, Luan Rama gjatë mbledhjes së Komitetit të kësaj force politike, u shpreh se LSI nuk ka qenë kurrë parti punësimesh, siç e ka etiketuar shpesh kryeministri Edi Rama.

Luan Rama tha se LSI-ja gjatë qeverisjes ka kryer punësime por konform ligjit. Rama shtoi se LSI nuk është strehë e personave që kanë probleme me drejtësinë, “të tjera parti e kanë bërë këtë”.

Deklarata:

LSI nuk ka qenë ndonjëherë parti punësimesh, por LSI ka marrë përgjegjësitë që i takonin gjatë qeverisjes dhe për të punësuar sipas ligjit. Është më e thjeshta edhe për maxhorancën e sotme të thotë që fajin e ka LSI-ja. Le ta mbajnë këtë kompleks, ne jemi njerëz tokësorë, ne punojmë, gabojmë, jemi të vetëdijshëm për gabimet që kemi bërë, por nuk kemi bërë faje. Dhe për shkak të këtij reflektimi ne i qëndrojmë ballhapur kujtdo.

LSI nuk është strehë për njerëz që kanë probleme me ligjin. Të tjerë e kanë bërë këtë, kanë strehuar njerëz të kriminalizuar. I kanë hequr nga bashkitë e i kanë bërë kryetarë partie, kryetarë shtabesh.