PS rrëzon planin e PD, vë në lëvizje Konferencën e Kryetarëve për të hetuar Shkëlzen Berishën dhe lidhjet e Metës me Balilin, panik në LSI dhe SHQUP

Partia Socialiste nuk ka ndërmend të dorëzohet. Që pas ngritjes së komisionit hetimor për drogën dhe çështjen e Saimir Tahirit, në fokus të mazhorancës qëndron hetimi i lidhjeve të të ashtuquajturit “Eskobari i Ballkanit”, Klement Balili, me ish-ministra apo eksponentë të tjerë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Po ashtu, ata kanë në vëmendje edhe hetimin e lidhjeve të mundshme të djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha me drogën, pas disa akuzave të lëshuara nga Izet Haxhia. Anëtarët socialistë kanë hasur në një pengesë nga ana e opozitës për vijimin e hetimeve dhe punës së komisionit sepse kryetari Edi Paloka nuk i ka firmosur shkresat e tyre për të kërkuar informacion në 8 institucione. Në mbledhjen e së mërkurës pati shumë debate mes palëve dhe u vendos që të vijonin negociatat me qëllim që shkresat të firmoseshin. Gazeta u interesua dje pranë komisionit nëse kryetari Paloka ka ndryshuar mendim, por jo. Një gjë të tillë e konfirmoi nënkryetarja e komisionit, Ermonela Felaj, e cila u shpreh për gazetën se nënshkrimi i kërkesave nuk është kryer akoma. Por pavarësisht kësaj përgjigjeje negative nga ana e PD, sërish mazhoranca nuk do të heqë dorë nga objektivi i saj. Sipas burimeve të gazetës, ata i janë drejtuar me një shkresë Konferencës së Kryetarëve për t’iu ardhur në ndihmë. Përmes kërkesës së dërguar kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, pritet që tashmë të mblidhet Konferenca e Kryetarëve dhe të “detyrojë” Palokën që të firmosë shkresat e socialistëve dhe të zhbllokohet puna. Pasi të arrihet një gjë e tillë, pritet që t’i hapet rruga zbulimit të fakteve që implikojnë figura të opozitës ose persona të lidhur me ta me trafikun e drogës dhe çështje kriminale. Pra, sapo të merret vendimi nga Konferenca e Kryetarëve, mazhoranca do të vijojë objektivin e saj për të zbardhur implikimin e LSI me Klement Balilin dhe Shkëlzen Berishës e zyrtarëve të tjerë të lartë me trafikun e drogës.

Panik në LSI dhe SHQUP

Komisioni hetimor u ngrit pas kërkesës së opozitës për të hetuar lidhjet e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri me drogën. Por duke është rritur tensioni si pasojë e planit të PS për të zbuluar çdo implikim të mundshëm me trafikun e drogës. Ndërkohë, edhe vetë deputeti socialist, Paulin Sterkaj, i cili është anëtar i komisionit hetimor, deklaroi dje për gazetën se objekti i komisionit për të hetuar Saimir Tahirin ka rënë. Ai theksoi se mazhoranca do të këmbëngulë të kërkojë hetimin e atyre çështjeve që i sheh me rëndësi. “Patëm një debat kur ishim në mbledhjen e komisionit. Ata pretendojnë të na mësojnë neve se çfarë do të kërkojmë, por ne do të kërkojmë atë që mendojmë ne të arsyeshme. Po nuk i firmosën natyrshëm puna e komisionit do të pengohet. Ata nuk duan të kapin thelbin, por duan të kapin situata sikur po i pengojmë ne. Realisht tani çështja e Tahirit duhet të bjerë. Duhet të bjerë sepse Saimir Tahiri tani nuk është më deputet, atë tashmë po e heton drejtësia. Kështu që sa ishte deputet, ky komision kishte vlerë, por tani për mua ka mbaruar nga ana morale”, tha Paulin Sterkaj. qenë se ky i fundit para pak ditësh dha dorëheqjen nga posti i deputetit, tani bie objekti i hetimit të PD-LSI sepse Tahiri tashmë është qytetar i thjeshtë dhe do të përballet me drejtësinë si i tillë. Për këtë arsye pritet që anëtarët e PS të jenë ata që do të nxjerrin më shumë fakte për lidhjet e zyrtarëve të lartë me drogën. Sipas të gjitha gjasave, ata do të vijojnë të hetojnë sipas objektivit të tyre duke shkaktuar kështu panik në radhët e LSI dhe SHQUP. Në kampet e PD dhe LSI./Mimoza IBRA