Prokuroria kopsit dosjen ndaj Bashës për lidhjet me rusët, angazhon autoritetet amerikane për zbardhjen e aferave të lobimit, zbardhen letërkëmbimet

Prokuroria e Tiranës ka thelluar hetimet ndaj Partisë Demokratike dhe kreut të saj Lulzim Basha sa i takon lobimeve të dyshimta në SHBA. Pak muaj më parë nisi një hetim ndaj partisë kryesore në opozitë, pasi media vendase dhe të huaja nxorën në dritë një skandal tepër të madh. PD ka shpenzuar rreth 1 milion dollarë për lobime në SHBA, faktuar kjo sipas dokumenteve të Departamentit Amerikan të Drejtësisë. Mirëpo në KQZ, Partia Demokratike ka deklaruar vetëm 160 mijë dollarë shpenzime. Pas kësaj prokuroria nisi një hetim. Gazeta ka arritur të mësojë detaje sesi po ecin hetimet. Sipas burimeve, sa i takon verifikimeve paraprake dhe grumbullimit të informacioneve në vendin tonë, procesi ka përfunduar. Prokuroria e Tiranës ka marrë të gjithë dokumentet e nevojshme nga KQZ, po ashtu dhe nga PD, ndërsa ka dhe dëshminë e financierit të saj dhe të ish-deputetit Arben Ristani. Pra dosja është kopsitur dhe tani autoritetet janë në pritje të homologëve amerikanë. Gazeta ju drejtua përmes një shkrese Prokurorisë së Tiranës, ku kërkoi informacion zyrtar mbi hetimet dhe sa i takon bashkëpunimit me SHBA. Prokuroria bëri të ditur se pak kohë më parë ka dërguar një letër-porosi në SHBA. “Në përgjigje të kërkesës suaj ju bëjmë me dije se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë po bashkëpunon me autoritetet amerikane të drejtësisë dhe hetimi është në fazën e pritjes së një letër-porosie drejtuar autoriteteve amerikane të drejtësisë”, ka deklaruar zyrtarisht për gazetën “SOT” Prokuroria e Tiranës. Por jo zyrtarisht gazeta ka mësuar se përgjigja e amerikanëve pritet të vijë brenda muajit, pasi është e angazhuar drejtpërdrejtë dhe ambasada e SHBA. Në varësi të përgjigjes që do të vijë prej tyre, do të varet dhe ecuria e hetimeve. Sipas burimeve të gazetës, prokuroria ka kërkuar të gjitha kontratat që kanë dorëzuar në Departamentin e Drejtësisë kompanitë “Biniatta Trade LP” dhe “Stonington Strategies, sa i takon bashkëpunimit me PD. Pasi të vijnë informacionet do të bëhet krahasimi i parave të deklaruara. Në faqen e Departamentit këto dokumente janë lehtësisht të aksesueshme dhe aty tregohet qartë diferenca e financave. Por duke qenë se prokuroria vepron vetëm zyrtarisht, do të pritet përgjigjja e vetë autoriteteve amerikane. Ajo që rëndon akoma më tepër pozitat e PD është se sipas medieve amerikane, PD është mbështetur nga rusët për të paguar lobimet.

Të dhënat e kontratave

Në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, Partia Demokratike e udhëhequr nga Lulzim Basha lidhi dy kontrata me lobistin e saj në Uashington, ‘Stonington Strategies’, në mënyrë që të siguronte takime të nivelit të lartë me administratën e Presidentit Donald Trump. Të dhënat e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë tregojnë se pagesat për kompaninë e lobimit u bënë nëpërmjet dy kontratave të lidhura në fund të marsit nga Partia Demokratike dhe një kompani guaskë e regjistruar në Skoci me emrin “Biniatta Trade LP”, të cilat kapin një vlerë totale prej 675 mijë USD dhe ku përfshihen tarifat mujore të firmës si dhe pagesat për shpenzimet e saj. Kontrata e drejtpërdrejtë e PD-së me “Stonington Strategies” është raportuar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA që në muajin mars, ndërsa kontrata me “Biniatta Trade LP” është mbajtur e fshehur për disa muaj dhe është raportuar në mesin e muajit nëntor. Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD. Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit, çka ngre dyshime serioze për origjinën e parave. Mosdeklarimi i të dhënave është shkelje ligjore dhe për këtë arsye prokuroria po heton ./ Kliti TOPALLI