Polemikat/ Këngëtari grek Notis Sfakianakis mbush Pallatin e Kongreseve, shiten të gjitha biletat

Pavarësisht polemikave, pjesëmarrja në koncertin e këngëtarit grek Notis Sfakianakis që u zhvillua mbrëmjen e sotme në Pallatin e Kongreseve ishte e madhe. Ardhja e tij në Shqipëri shkaktoi jo pak polemika por ato mbetën vetëm në rrjetet sociale, teksa sot në Tiranë nuk u shënua asnjë reagim apo protestë kundër këngëtarit grek.

Ditët e fundit disa artistë të njohur shqiptarë, por jo vetëm, bënë thirrje për ta bojkotuar këngëtarin grek. Report Tv sjell pamje jashtë pallatit të Kongreseve, ku tregohet se pjesëmarrja e adhuruesve të muzikës dhe këngëtarit grek është e madhe. Burime pranë këtij eventi bëjnë me dije se janë shitur të gjitha biletat ndonëse çmimi i tyre varionte nga 10 mijë deri në 15 mijë lekë.

Notis Sfakianakis njihet në Greqi si mbështetës i Agimit të Artë. Ai pak kohë më parë bëri disa deklarata kundër shqiptarëve duke i cilësuar ndër të tjera edhe si racë inferiore, por një ditë para koncertit e mohoi duke fajësuar median, që sipas tij kishte manipuluar deklaratën.