Pas akuzës bombë të Ramës për 613 kg kokainë, Balla paralajmëron PD: Prisni ditët në vijim

Një ditë pas akuzës bombë të kryeministrit Edi Rama se pas 613 kg kokainë të kapur në Durrës fshihen zyrtarë të lartë të PD, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ka paralajmëruar se ditët në vijim do të dalin detaje të reja të cilat sipas tij inkriminojnë demokratët.

Duke i bërë thirrje Prokurorisë, që të hetojë dhe zbardhë sa më shpejt historinë e akuzave të opozitës për Agron Xhafajn, Balla deklaroi se ditët në vazhdim do të jenë shumë të rëndësishme për lidhjet e personave të akuzuar për 613 kg kokainë me persona të rangjeve më të larta të PD.

Ne e dimë mirë që Basha në këtë aventurë të rrezikshme është futur nga Berisha për një arsye që ka të bëjë me 613 kg kokainë. Prisni e duroni, ditët në vijim do jenë shumë të rëndësishme për lidhjet e personave të akuzuar për 613 kg kokainë me presona të rangjeve më të larta të PD.

Deputeti socialist vijoi më tej me akuzat në adresë të demokratëve, duke thënë se audio-përgjimi i publikuar nga PD, ku pretendohet se Agron Xhafaj implikohet në trafikun e drogës, është një kasetë e stisur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Me gjëmën e lajmëruar për dje dhe të shfaqur si përshkallëzim i luftës antidrogë nga ana e Partisë Demokratike, është e qartë që Shqupi po i bën konkurrencë të pandershme Portokallisë, Al Pazarit e çdo estrade në televizione! Loja e ka kush e ka për autorin e përgjimit që Luli thotë e ka Babalja, ky thotë e ka gazetari dhe gazetari thotë se përgjegjësin e ka PD. Autorësia e përgjimit të ngelet jetim në prehrin e Saliut dhe me këtë histori Saliu po na del me tre djem, Shkëlzenin, Lulin dhe Babalen. Basha është i futur në një aventurë Don Kishoteske nga vetë Saliu për një përgjim, i cili duket ditën për diell që është një kasetë e stisur e një bisede që nuk ka ndodhur kurrë mes Babales dhe vëllait të ministrit.

Ne e dimë që Basha në këtë aventurë është futur nga Berisha dhe garipat e tij, që tashmë e ka kuptuar që ne e dimë të vërtetën. Për t’i shkuar asaj deri ë fund thirrja ime është ndaj Prokurorisë, që në mënyrë sa më të shpejtë dhe në kohë të shkurtër nga çdo laborator i çdo vendi partner të Shqipërisë, të bëjë ekspertizën dhe të nxjerrë përfundimin cili do qoftë ai. Historia e përgjimit po dëmton Shqipërinë në rrugën drejt integrimit. Kjo nuk i bën mirë Shqipërisë.