Opozita kërkon dorëheqjen e Fatmir Xhafajt, protestë sot para Ministrisë së Brendshme

Opozita do të protestojë sot në orën 12:00 para Ministrisë së Brendshme duke kërkuar largimin e Fatmir Xhafajt nga posti. Por edhe pse ka organizuar protestën, Lulzim Basha nuk do marrë pjesë në këtë tubim. Kjo për shkak se kryetari demokrat do marrë pjesë në punimet e Samitit të Partive Popullore Europiane (PPE) në Sofje. Protestën pritet ta kryesojë kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Protesta është parashikuar të zhvillohet pa fjalime nga eksponentët e opozitës, ndërsa protestuesit do mbajnë në duar pankarta për largimin nga detyra të Fatmir Xhafajt. Gjithashtu, protestuesit do mbajnë edhe pankarta kundër kryeministrit Edi Rama.

Skenari të enjten/PD-LSI do bllokojnë parlamentin

Ndërsa ditën e enjte do të bllokohet parlamenti, ashtu sikur ndodhi edhe një javë më parë. Aksionet opozita i ka nisur që ditën e djeshme, pasi i gjithë grupi i PD është paraqitur në komisionet parlamentare duke bllokuar punimet.

Opozita kërkon largimin e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, pasi e akuzojnë se ka mbrojtur vëllanë e tij, Agron Xhafaj, i cili është i dënuar nga drejtësia italiane me 7.2 vite për trafik droge. PD publikoi para dy ditësh një përgjim të dy personave duke ngritur pretendimin se njëri prej tyre është Agon Xhafaj vëllai ministrit të Brendshëm. PD thotë se kjo bisedë e regjistruar tregon se Agron Xhafaj vijon ende aktivitetin kriminal.

Vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj depozitoi kallëzim penal për tre zyrtarët e PD, Enkelejd Alibeaj, Ervin Salianji dhe Gazmend Bardhi duke i akuzuar se kanë sajuar prova. Agron Xhafaj pretendon se në asnjë moment zëri që është dëgjuar në përgjimin e publikuar dje nuk është i tij.