LAJM I FUNDIT/ Arrest shtëpie për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur sot në mënyrë të befasishme masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Në shtëpinë e tij kanë shkuar një grup prokurorësh dhe oficerësh të policisë gjyqësore të cilët i kanë komunikuar masën e sigurisë.

Ndryshimi i masës ndaj Tahirit vjen menjëherë një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vulosi dorëzimin e mandatit të deputetit nga Tahiri për t’ia kaluar atë Spartak Brahos.

Lapsi.al mësoi se Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi masën “burg pa afat” për Tahirin, por Gjykata e Krimeve të Rënda e la në “arrest shtëpie”.

Tashmë Tahirit do t’i bllokohet sërish pasaporta. Atij nuk i lejohet më të largohet nga banesa, nuk i lejohet të kontaktojë njerëz të tjerë përveç familjarëve të tij dhe avokatëve.