KLD qëndrime me dy standarde për shkarkimin e gjyqtarëve, ja si anëtarët shkelën ligjin, Meta me bilanc të zi si Nishani

Institucioni më i trembur nga reforma në drejtësi duket se është Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Teksa vetingu ka nisur të japë rezultat dhe është gati ngritja e organeve të reja të drejtësisë, ky institucion ka amnistuar muajt e fundit plot 16 gjyqtarë, duke i lënë ata në detyrë pavarësisht shkeljeve që janë bërë. Anëtarët janë justifikuar me ndryshimet në ligj, me argumentin se KLD nuk mund të shkarkojë apo emërojë gjyqtarë, mirëpo gazeta po tregon se si po të njëjtët anëtarë kanë shkelur ligjin për muaj e muaj me radhë. Ministrja Etilda Gjonaj në dy seanca të KLD kërkoi shkarkimin e 17 gjyqtarëve, të cilët janë zbuluar me shkelje. Por asnjë prej kërkesave nuk u pranua. Kërkesa e parë e saj, e cila kishte të bënte me procedimin disiplinor të 13 gjyqtarëve, kishte të bënte me masa të kërkuar që kur në Ministrinë e Drejtësisë ishin ministrat e LSI. Të gjitha kërkesat e dorëzuara prej tyre, KLD i kishte lënë në hije. Por me këtë veprim KLD ka kryer shkelje flagrante të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Ligji në nenin 172, detyronte KLD që brenda 6 muajve duhet të kishte ezauruar të gjitha kërkesat për masë disiplinore të bëra nga ministria e Drejtësisë. “Hetimet disiplinore të papërfunduara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji nga Ministria e Drejtësisë, Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe inspektorët në Zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme përfundohen brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, sipas dispozitave në fuqi para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Procedimet disiplinore të papërfunduara në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ose në Prokurorinë së Përgjithshme në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji kryhen brenda afatit 6- mujor pas hyrjes në fuqi e këtij ligji. Organet përgjegjëse, sipas nenit 160, të këtij ligji, zbatojnë rregullat procedurale të parashikuara në këtë ligj”, thuhet në ligj.

Qëndrime me dy standarde

Sipas parashikimeve në ligj, KLD, në atë kohë e drejtuar nga Bujar Nishani, duhej të kishte mbyllur procedimin disiplinor. Bëhet fjalë për të njëjtët anëtarë që janë dhe sot, me përjashtim të kryetarit që tani është Ilir Meta dhe ministrit të Drejtësisë. Sipas procesverbaleve të mbledhjeve, anëtarët kanë refuzuar kërkesën e ministres Gjonaj me argumentin se nuk i lejon ligji, ndërkohë që po ata, shkelën nenin 172 të tij duke mos i futur në rendi dite. Pra tani pretendojnë se shkelet ligji, ndërsa një vit më parë e lanë që të shkelej. Sinjalet janë se kjo u bë në mënyrë të qëllimtë që më pas të mos kishte asnjë mundësi për shkarkimin e tyre. Ndërkohë ka dhe një tjetër skenar. KLD duhej të shkarkonte Majlinda Andrean që u dënua nga gjykata dhe nuk e ka shkarkuar, duke mos futur në rend dite. Pse nuk u vijua në këtë formë dhe me gjyqtarët për të cilët u kërkua procedim disiplinore? KLGJ ngrihet brenda pak muajsh dhe duhej t’i lihej asaj vendimmarrja. Por me këtë veprim KLD bllokoi çdo tentativë për shkarkimin e tyre.

Krahasimi Meta-Nishani

Nëse bëjmë një krahasim të periudhës që në krye të KLD ishte Bujar Nishani dhe të situatës tani, ku në krye është Ilir Meta, duket se KLD ka një bilanc akoma më të zi. Brenda 4 muajve u amnistuan plot 16 gjyqtarë të përfshirë në afera dhe skandale. Nëse u referohemi viteve 2015 dhe 2016, KLD ka marrë për bazë rreth 20 kërkesa të ministrit të Drejtësisë për shkarkim, pezullim apo masa të tjera disiplinore ndaj gjyqtarëve. Por gjithsesi dihet se në kohën e Nishanit KLD u përfshi në shumë skandale, pasi pati dhe raste kur u refuzuan shkarkimet e vetë anëtarëve të KLD. Rasti më flagrant është kur u kërkua shkarkimi i Gjin Gjonit, Markelian Kuqos, Ken Dhimës apo Klorinda Çelës. KLD me në krye Bujar Nishanin nuk pranoi kërkesat e ministrit. Pra duket se dhe Meta po ndjek gjurmët e Nishanit.