Grabitën Prokurorinë e Durrësit, zbulohen emrat e tre të ndaluarve

Tre persona të dyshuar janë ndaluar nga policia në lidhje me grabitjen e Prokurorisë së Durrësit dhe po merren në pyetje nga hetuesit.

Ndalimi i tre autorëve të dyshuar është bërë me urdhër të organit të Akuzës, ku mes tyre është edhe 56-vjeçari Nias Lena, me detyrë roje te SHPSF Frideus Secyrity. Gjithashtu, në pranga kanë rënë dhe dy shtetasit Artur isa e Besnik Bushi, si autorët e dyshuar të grabitjes, të cilët rezultojnë të jenë me precedentë të mëparshëm penalë.

Prokuroria e Durrësit u grabit një ditë më parë, ku u vodhën disa dosje korrupsioni në zyrën e prokurorit të Task Forcës, Afrim Shehu, si dhe u morën pajisje elektronike në dhomën e serverit të kamerave të sigurisë.

Njoftimi i policisë:
Ndalohen dy autorët e dyshuar të vjedhjes së zyrave të Prokurorisë Durrës. Ndalohet edhe roja private e SH.P.S.F. për shpërdorim detyre. Më datë 24.05.2018 nga ana e Specialistëve për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës u bë ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të Prokurorisë për shtetasit:

• Nias Lena 56 vjeç, banues në Durrës, roje private, i caktuar me shërbim në orarin kur janë vjedhur zyrat e Prokurorisë;

• Artur Isa 49 vjeç, banues në Sukth i Ri Durrës, me precedentë penalë të mëparshëm.

• Besnik Bushi 54 vjeç, banues në Durrrës, me precedentë penalë të mëparshëm.

Dy shtetasit e mësipërm A.Isa dhe B.Bushi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se janë autorë të vjedhjes së zyrave të Prokurorisë Durrës.

Ata dyshohet kanë hyrë në zyrat e prokurorisë dhe kanë vjedhur, dëmtuar dokumentet dhe kanë ndërhyrë në sistemin kompjuterik. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale:

•”Shpërdorimi i detyrës” në ngarkim të shtetasit Nias Lena parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

• ” Ndërhyrja në sistemet kompjuterike” dhe “Zhdukja ose humbja e fashikullit” në bashkëpunim në ngarkim të shtetasve A.Isa dhe B.Bushi parashikuar në nenet 293/c/2 dhe 313/a , 25 të Kodit Penal