Goditet një tjetër bandë shqiptare, kapen 330 kg kokainë

Kokaina nga Amerika Latine vijon të ‘pushtojë’ tregjet e vendeve të Bashkimit Evropian, ku të përfshirë në trafik janë dhe shqiptarët. Një aksion i fundit në Holandë dhe Belgjikë ka zbuluar një tjetër bandë shqiptare e trafikut të kokainës nga Kolumbia drejt tregjeve evropiane.

Gjatë aksionit, janë sekuestruar 330 kg kokainë në aeroportin e Antwerpit, si dhe janë zbuluar disa plantacione me kanabis, që dyshohet se i përkisnin të njëjtës organizatë kriminale.

Mediat e huaja raportojnë se lënda narkotike ishte fshehur në 15 kuti bananesh dhe kapte vlerën e 16 milionë euro nëse tregtohej. Mes të arrestuarve janë edhe dy shqiptarë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur. Ndërkohë, gjatë aksionit janë sekuestruar dhe mbi 50 mijë euro cash, dokumente të rreme dhe gjashtë automjete, katër prej të cilëve ishin të pajisur me hapësira digjitale, ku fshihej kokaina.

Hetimet për bandën shqiptare kanë nisur mbi një vit më parë, që në vjeshtën e vitit 2016, ku në një market dyshohej se tregtoheshin farë dhe fidanë të kësaj bime narkotike.