Flasin fqinjët e dëshmitarit ‘X’ në Vlorë: Familja u largua me një makinë të zezë pas përgjimit

Report tv sjell kronologjinë e lëvizjes së familjes së dëshmitarit ‘X’, Albert Veliu që pas publikimit të audio-përgjimit nga ana e Partisë demokratike. Fqinjët e Albert Veliut i cili banon në një shtëpi dy katëshe në lagjen ‘Topana’ të Vlorës, tregojnë se menjëherë pasi është transmetuar audio- përgjimi, familja e tij është larguar nga shtëpia.

Pikërisht ky largim ka ndodhur ditën e mërkurë të kësaj jave rreth orë 20:30 minuta. Fqinjët dëshmojnë se kanë parë dy persona me një makinë të zezë që kishin shkuar poshtë shtëpisë së dëshmitarit ‘X’. Pas pak minutash gruaja dhe dy djemtë e Albert veliut, kanë zbritur nga kati i dytë i shtëpisë ku banonin dhe më pas kanë hipur në makinë për t’u larguar.

Nuk dihet se cilët janë personat që bënë lëvizjen e familjes së Veliut por komshinjtë pohojnë se ata janë disa shokë të njeriut i cili u shfaq në video rrëfimin nga PD. Ndërkohë vet Albert Veliu është larguar nga shtëpia që të martën me datë 15 Maj, menjëherë pas publikimit të audio-përgjimit dhe besohet se gjatë këtyre ditëve ka qëndruar në Tiranë.

Pas largimit të tij nga shtëpia familjarët kanë qenë në ankth në lidhje me atë se çfarë po ndodhte, madje bashkëshortja e dëshmitarit ‘X’ (Albert Veliu) ka komunikuar me fqinjët e saj ku ka shprehur edhe shqetësimin në lidhje me ngjarjen. Një nga fqinjët deklaron se bashkëshortja e Albertit i ka thënë se “çfarë i duhet atij (Albertit ) të përzihet sërish më gjëra të tilla, mi mori në qafë djemtë’.

Por që prej të mërkurës kur familja e dëshmitarit ‘X’ nuk është dukur në shtëpi. Për familjen Veliu, po ashtu nuk dihet nëse ajo edhe mund të jetë larguar jashtë Shqipërisë sikur edhe tentoi të bënte kryefamiljari Albert Veliu i cili ishte nisur në një udhëtim drejt Kosovës.