Del vendimi/ Nga 1 korriku, qeset plastike jashtë qarkullimit. Nëse i përdorni…

Qeset plastike që përdoren aktualisht nuk do të lejohen më pas datës 1 korrik. Qeveria i ka dhënë OK vendimit për ndalimin e prodhimit, importimit dhe shitjes së tyre, duke propozuar qese të riciklueshme në vend të tyre.

Për këtë, Këshilli i Ministrave i ka dhënë 2 muaj kohë biznesit të rinovojë teknologjinë, ndërsa po zhvillohet edhe një fushatë ndërgjegjësuese. Të gjitha këto i ka bërë me dije ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, në takimin e parë me grupet e interesit, prodhues e importues të qeseve, duke i paralajmëruar se do të ketë penalizime në rast se nuk i binden vendimit.

“Vendimi kërkon masa drastike, kërkon që 2 muaj pas hyrjes në fuqi, të mos ketë më përdorim të qeseve plastike, masa e gjobës është e një niveli të konsiderueshëm nga 10 milionë deri në 15 milionë lekë të vjetra kushdo përdorues apo prodhues i këtyre qeseve plastike, por përsëri e gjithë kjo do të jetë një fushatë jo vetëm pjesë e goditjes së organeve ligjzbatuese, por duhet të jetë një përpjekje e përbashkët e gjithë qeverisë që ta refuzojmë këtë fenomen sepse na dëmton shumë dhe nuk është një kërkesë shqiptare, pasi bota e ka bërë prej kohësh”, deklaroi ministri.

Ndërgjegjësimi tashmë ka nisur në kryeqytet, ndërsa synimi i qeverisë është shtrirja në gjithë vendin. “Do të nisë një fushatë dymujore për të ndërgjegjësuar shoqërinë që të refuzojnë përdorimin e qeseve plastike, për një Shqipëri më të pastër”, deklaroi Klosi.

QESET E LEJUARA

Ndalimi i qeseve aktuale nuk parashikon rikthimin te trastat, por përdorimin e qeseve të riciklueshme, apo thënë ndryshe, të degradueshme apo që nuk ndotin. Sipas vendimit të miratuar në 26 prill, qeset plastike mbajtëse, të lejuara për t’u hedhur në treg, do të kenë specifika të caktuara (paraqitur në tabelën përbri shkrimit).

Ato do të shiten nën kontrollin e ministrisë në pikat e shitjes së mallrave e produkteve, vetëm kundrejt një pagese të posaçme të identifikuar në faturën tatimore. Vendimi përcakton sistem shënjimi dhe identifikimi të ambalazheve të plastikës me inicialet identifikuese të prodhuesit, shenjat që përcaktojnë llojin e plastikës, shenjën e aditivit vetëshkatërrues, si dhe elementë sigurie të tjerë me datë, muaj e vitin e prodhimit, bashkë me shenjën identifikuese, që tregon se qesja është e riciklueshme. Por jo vetëm kaq.

Çdo ambalazh duhet të ketë shenjën përkatëse të prodhuar për produktin ushqimor që do të tregtohet. Prodhuesit, importuesit dhe tregtarët duhet të ruajnë këtë informacion për qeset plastike për jo më pak se 3 vjet muaj, me qëllim identifikim e atyre që janë në treg dhe në rast të kundërt, penalizimin. Për zbatimin e vendimit dhe monitorimin periodik, Këshilli i Ministrave ngarkon me përgjegjësi Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, së bashku me Inspektoratin Kombëtar të Mjedisit.

VENDIMI, QESET QE DO LEJOHEN

“Qese e lehtë plastike mbajtëse”, është qesja plastike me trashësi për çdo anë më të vogël se 35 mikron, me përjashtim të qeses së përdorur vetëm për qëllime higjieno-sanitare.
29/b) “Qese plastike mbajtëse oxodegradueshme”, është qesja plastike mbajtëse e prodhuar nga materiale që përfshijnë aditivë, të cilët katalizojnë copëzimin e materialit plastik në mikrofragmente”.

Në kreun IV, paragrafi ekzistues numërtohet 1 dhe pas tij shtohen pikat 2, 3 dhe 4, me këtë përmbajtje:
“2. Pa rënë ndesh me kërkesat e tjera të posaçme të këtij vendimi, prodhimi i qeseve plastike mbajtëse, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, bëhet duke përdorur aditivë biodegradues me një cikël veprimi jo më pak se 36 muaj, i cili mundëson realizimin e ciklit të plotë të përdorimit nga prodhimi, magazinimi, tregtimi, përdorimi dhe kthimi për riciklim përpara se ky produkt të ketë humbur vlerat për riciklim. Qeset plastike mbajtëse të oxodegradueshme nuk konsiderohen si të biodegradueshme, sipas përcaktimit të këtij vendimi.

Pa rënë ndesh me kërkesat e tjera të posaçme të këtij vendimi, prodhimi i qeseve plastike mbajtëse, me trashësinë e mureve me të madhe se 35 mikron, bëhet duke përdorur jo më pak se 55% lëndë të parë të përftuar nga riciklimi, ose lëndë të parë ndihmëse alternative jo plastike.
Prodhuesi i qeseve plastike mbajtëse, sipas përcaktimeve të pikave 2 dhe 3 të këtij kreu, ruan, administron dhe jep informacionin që vërteton respektimin e përcaktimeve të këtij kreu, sipas kërkesave të përcaktuara në këtë vendim”.