Bulevardi i Ri, Rama tallet me Bashën: Projektin nuk do e kishte bërë as për 90 vite

Kryeministri Edi Rama, ishte i pranishëm në ceremoninë e prezantimit të projektit për rehabilitimin e lumit të Tiranës, ku do të hapet edhe segmenti i dytë në Bulevardin e Ri.

Teksa foli për këtë projekt Rama nuk kurseu ironitë për kohën kur bashkia e Tiranës drejtohej nga kreu i PD-së Lulzim Basha.

Rama tha se për puna që është bërë deri tani për Bulevardin e Ri, Basha nuk do e kishte bërë edhe për 90 vite.

Sikur ky Bulevard të ndërtohej me ritmet qe përcaktuan ecurinë e tij në 4 vitet përpara zgjedhjesh së Erionit në krye të bashkisë do duheshin 60 vjet të arrinim deri këtu dhe 30 vjet të tjera për atje ku do të shkojmë në fund të viti të ardhshëm” –tha Rama.

Më tej shefi i qeverisë theksoi se bashkë me Veliajn do të bëjmë më shumë gjatë mandatit tonë qeverisës.

“Sëbashku me projektet e qeverisë për Tiranën sëbashku me një sërë projektesh që shpresojmë të financohen me partnerët, na jep mundësi që të themi jo vetëm në këtë mandat të kryetarit të bashkisë së Tiranës ne do të bëjmë shumë tepër se çfarë është bërë në shumë vite sëbashku, por në mandatin e ri qeverisës ne do të bëjmë me siguri me kryetarin e bashkisë dhe me bashkinë e Tiranës shumë më tepër se sa është bërë në këto tre vite të bashkisë së Tiranës”, theksoi Rama.

Gjithashtu Rama tha se në këtë pjesë të bulevardit do të ndërtohet disa kulla të cilat i cilësoi të domosdoshme në të gjitha aspektet, ekonomik, social, mjedisor, e gjithçka thuhet lidhur me to për t’i kundërshtuar është thjesht e vetëm një absurditet i plotë.

Pjesë nga fjala e tij

“ Sot ne jemi një hap tjetër më pranë përfundimit të këtij projekti strategjik për kryeqytetin.

Dhe ashtu sikundër e theksuan dhe parafolësit, jemi në kushtet ku jo vetëm një plagë të madhe të qytetit e kemi kaluar, por në vend të saj gjithë zona e lumit kemi një park.

Sikur ky Bulevard të ndërtohej me ritmet qe përcaktuan ecurinë e tij në 4 vitet përpara zgjedhjesh së Erionit në krye të bashkisë do duheshin 60 vjet të arrinim deri këtu dhe 30 vjet të tjera për atje ku do të shkojmë në fund të viti të ardhshëm. Jemi koordinuar sëbashku.

Mbetet e paçmuar prania dhe mbështetja e Fondit për Zhvillim të Abu-Dhabit që gjej rastin ta falënderoj me gjithë zemër, pasi financimi i tyre ka qenë përcaktues në realizimin e këtij projekti.

Më vjen shumë mirë që jo vetëm po ndërtohet një Bulevard i ri, jo vetëm kemi një aks të ri ekologjik në vijën e Lumit të Tiranës, jo vetëm me kryerjen e këtyre punimeve në këtë anë, por së shpejti do të marrë jetë edhe një park i ri qendror.

Debat idiot lidhur me ato që janë shprehjet më kuptimplota e cilësore të zhvillimit të kryeqytet të së ardhmes, ndërtimet ikonike që janë kullat e parashikuara në planin francez e do pasohen besoj dhe shpresoj edhe me kullat e parashikuara në këtë anë të Tiranës.

Bëhet fjalë për zhvillime të domosdoshme në të gjitha aspektet, ekonomik, social, mjedisor, e gjithçka thuhet lidhur me to për t’i kundërshtuar është thjesht e vetëm një absurditet i plotë.

Sa herë duhet të bëjmë diçka të re, ne do të përballemi ne problemet e trashëguara për shkak të ndërtimeve së prapthi në të shkuarën pa rend, e pa leje ndaj kostoja e ndërtimeve sot në Tiranë është kaq e lartë se shpronësimet përbëjnë një zë të rëndësishëm dhe peshë të ndjeshme në shpenzimet tona.

Do të nisin te jepen lejet e ndërtimit dhe do të ketë zhvillime te domosdoshme ne te gjitha aspektet. Nuk do te kete vetem blloqe te reja banimi”. (TemA)