Britma e një nëne që i vranë djalin e vetëm për një karikues: Më thoni o njerëz, ç’të bëj në këtë vend me këta monstra e vampirë?!

Gjykata e Tiranës me kërkesë të prokurorit të çështjes ka vendosur të zëvendësojë masën e sigurisë për tre të rinjtë, që kanë qenë të pranishëm në vrasjen e 22-vjeçarit Marvin Mihali, fëmijës së vetëm të familjes Mihali.

Vendimi për lirimin nga qelia e Dejvi Bitraj, Kridens Alla dhe Marsel Alla, është marrë pak ditë më parë, pasi tre të rinjtë akuzoheshin për “Moskallëzim krimi”.

I vetmi që po qëndron në qeli është Eugen Bitraj, i cili sipas prokurorisë së Tiranës rezulton të jetë njeriu i vetëm që ka qëlluar me thikë në zemër Marvin Mihalin.

Pas këtij vendimi, nëna e 22-vjeçarit ka reaguar e revoltuar.

“Sot është një ditë e zezë për mua!

Marvin tim ma vranë përsëri!. Tre nga kriminelët që bashkëpunuan në vrasje dhe dhunuan trupin e tij, në momentet e fundit ndërsa djali jepte shpirt, prokurori monstër, vampire, demoni, sharlatani, maskarai Artan Lulaj i etur për para, i kishte liruar nga burgu pa e ditur askush!

O zot çfarë tmerri!Të shikosh vrasësit e birit të vetëm pa akuzë, të lirë në sallën e gjyqit dhe tek i shihja më dilte parasysh video e ngjarjes, shkelmat e tyre mbi trupin e djalit tim! Sa më e madhe se kaq duhet të jetë dhimbja?

Dhe çfarë torturash të tjera duhet të kaloj!Më thoni o njerëz, çfarë duhet të bëj në këtë vend?Si do ta vendos drejtësinë?Ju lutem më ndihmoni…” shkruan Mira Mihali, nëna e Marvin Mihalit.

22-vjeçari u vra pak muaj më parë për një karikues.(TemA)