BE përgëzon goditjen e krimit në Shqipëri

Pasi organet e drejtësisë kanë vendosur në arrest shtëpie ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ndërsa agjencitë ligjzbatuese kanë shkatërruar bandën e trafikut të marijuanës së “Met Kananit”, nëpërmjet një njoftimi zyrtar, delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka përgëzuar punën e bërë së fundmi nga institucionet publike të vendit tonë.

Pa i përmendur tekstualisht këto dy raste, BE-ja është mjaftuar që t’i përgëzojë autoritetet shqiptare për goditjet e kohëve të fundit ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Bashkimi Evropian përgëzon punën e autoriteteve të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe zhvillimet e fundit pozitive lidhur me hetimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndërsa rikujton se prezumimi i pafajësisë është një element themelor i së drejtës për një procedurë të drejtë gjyqësore, Bashkimi Evropian gjithashtu shpreh pritshmërinë e tij që autoritetet shqiptare ta vazhdojnë me vendosmëri luftën e tyre kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që është thelbësore për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.