Basha: Dëshmitarit X i janë ofruar 200 000 euro nga njerëz të Xhafajt për të përgënjeshtruar deklaratat

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat mbrëmjen e së mërkurës, denoncoi se dëshmitarit X i janë ofruar 200 000 euro nga njerëz të Xhafajt për të përgënjeshtruar deklaratat e tij.

Basha shtoi se “struktura të krimit të organizuar kanë kërcënuar edhe gazetarin Jetmir Olldashi”, në lidhje me audio-përgjimin.
“Planet për blerjen e dëshmitarit dhe kërcënimet ndaj gazetarit nxjerrin zbuluar frikën e Xhafës dhe Ramës”, theksoi Basha.
Kreu demokrat shtoi se “presioni shtetëror me paratë e krimit dhe drogës është prova më e qartë e rënies së shtetit dhe kapjes totale të qeverisë nga organizatat kriminale”.
“Kërcënimet dhe presionet janë rritur ethshëm para protestës sonë sepse ata kanë frikë. E vetmja forcë që mund ta ndalë këtë të keqe është bashkimi ynë”, tha Basha.