Balla: Opozita nuk është për punë, por për piknik, aheng e zhurmë

Llogaridhënia publike e Qeverisë vijoi sot përballë banorëve të tre lagjeve të qytetit Librazhd. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fjalën e tij tha se Librazhdi përfiton edhe këtë vit disa investime të rëndësishme në infrastrukturë rrugore dhe urbane, arsim, shëndetësi, ujësjellës-kanalizime etj.

Është e vërtetë që qyteti i Librazhdit ka ndryshuar tërësisht, por puna jonë duhet të vazhdojë pa e ulur ritmin madje duke e shtuar atë. Kemi ende shumë probleme pa zgjidhur, e që unë e di fare mirë besimin e madh që më keni dhënë mua dhe Edi Ramës 1 vit më parë dhe që prisni të marrin zgjidhje. E kush e priste 5 vite më parë që Qeveria shqiptare bashkë me atë gjermane të investonin si sot miliona euro në rrjetin e amortizuar prej vitesh të ujësjellës-kanalizimeve të qytetit ton, apo që Benzi t’i prodhojë timonat në Librazhd. Po ju dini fare mirë të bëni dallimin. Ata që kemi përballë (opozita) nuk i kemi për punë. Ata janë për piknik, aheng e zhurmë me babalen dhe pastaj gjumë.

Të shtunën opozita ka paralajmëruar një protestë para Kryeministrisë, qëllimi i së cilës është largimi i qeverisë Rama. Opozita akuzon ministrin e Brendshëm se mbrojti vëllanë të dënuar në Itali për trafik droge. Pak ditë më parë PD publikoi një përgjim misterioz, autorësinë e të cilit e mori gazetari Jetmir Olldashi, por që ngriti shumë pikëpyetje, pasi ka shumë kontradikta në deklaratat e tij dhe dëshmitarit ‘X’ Albert Veliut, që pretendon se ka folur me vëllanë e ministrit Xhafaj për trafik droge.