Arrestohet në Kosovë dëshmitari ‘X’ Albert Veliu

Arrestohet në Kosovë dëshmitari ‘X’ i PD, Albert Veliu. ‘Babalja’ është arrestuar në Kosovë me urdhër të prokurorisë së Krimeve të Rënda të Shqipërisë. Ai pasditen e djeshme është larguar ilegalisht në drejtim të Kosovës, ndërsa sot është arrestuar nga policia e Kosovës për llogari të hetimeve në Shqipëri.

Lajmi për arrestimin e tij konfirmohet edhe nga Policia e Kosovës, ndërsa tashmë pritet që të shikohet se çfarë do të ndodhë me Veliun, nëse do të ekstradohet në Shqipëri. Dëshmitari ‘X’ aktualisht ndodhet në rajonin e policisë së Prishtinës. Mediat në Kosovë njoftojnë se ‘Babalja’ ishte së bashku me të birin në Shtimë në momentin që u arrestua.

Pas daljes së videos dy javë më parë, Veliu bëri tentativën e parë për t’u larguar në Kosovë, por u ndalua në Kukës. Pas marrjes në pyetje, në Shqipëri, atij nuk iu bllokua pasaporta dhe nuk kishte asnjë urdhër ndalimi, por ishte në ruajtje nga policia. Ndërkohë që pasditen e djeshme është larguar nga Shqipëria ilegalisht, ndërsa tashmë është ndaluar në Kosovë.

Nuk dihet nëse dëshmitari ‘X’ i njohur edhe si ‘Babalja’ kishte ndonjë plan arratisje në vendet e BE për të kërkuar azil. Para dy javësh PD publikoi një audio-përgjim ku pretendohet se dëshmitari ‘X’ Albert Veliu, një eksponent i njohur i botës së krimit në Vlorë, pretendon se bisedon me Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për sigurimin e një sasie kanabisi për trafikim drejt Italisë. Për realizimin e përgjimit ka ndihmuar edhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili ka bashkëpunuar me “Babalen”. Ndërkohë që audio është dërguar në Itali për ekspertizën nëse është e vërtetë.