Akuzat e PD për vëllanë, Xhafaj takim me Ramën në Kryeministri

Pas mbledhjes së grupit të Partisë Socialiste, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj është ngjitur në Kryeministri. Prej orës 13:45 minuta Xhafaj po zhvillon një takim me kryeministrin Edi Rama. I pranishëm në takim për disa minuta ishte edhe kryetari i grupit të PS, Taulant Balla i cili më pas është larguar nga Kryeministria.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS se materiali audio i publikuar nga Partia Demokratike për Agron Xhafajn, nuk është asnjë provë kompromentuese për vëllain e tij, ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Rama e bazoi deklaratën e tij te një ekspertizë ndërkombëtare që sipas tij kishte dalë në konkluzionin se materiali i opozitës ishte montuar dhe jo autentik. Reagimi i kreut të qeverisë vjen pas sulmeve të PD dhe LSI ditët e fundit, të cilët kërkojnë dorëheqjen e Xhafajt pas akuzave për të vëllanë e tij se është dënuar në Itali me 7.2 vite burg për trafik droge.

Ndërkohë që sot, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj, nëpërmjet një letre me të cilën i është drejtuar opinionit publik, ka bërë të ditur se do t’i vetëdorëzohet sot autoriteteve italiane të drejtësisë, për të vuajtur një dënim penal të dhënë ndaj tij në shtetin fqinj.