Zbardhet strategjia e mazhorancës, hetim lidhjeve të Metës me Klement Balilin, nen hetim ish-ministrat e LSI-së

Kryeministri Edi Rama ka nisur ditën e djeshme një tjetër betejë me Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Teksa opozita po tenton të rrëzojë qeverinë dhe Meta po sulmon tërthorazi ekzekutivin, socialistët kanë vendosur të kundërpërgjigjen akoma dhe më ashpër. Rreth mesditës së djeshme Komisioni Hetimor për çështjen e kanabisit ka zhvilluar mbledhjen e radhës, në një kohë kur deputetët e opozitës ndodheshin në ambientet e Gjykatës së Tiranës për të ndjekur seancën maratonë për 23 protestuesit e arrestuar. Edhe pse ky komision drejtohet nga demokrati Edi Paloka, mbledhja e djeshme u thirr nga mazhoranca, ku të pranishëm ishin vetëm deputetët e mazhorancës. Gjatë kësaj mbledhjeje, Partia Socialiste prezantoi planin e saj për t’iu kundërvënë opozitës. Deputetja Ermonela Felaj përmendi disa nga çështjet më të bujshme në vend për të cilat mazhoranca do të kërkojë informacion tek Shërbimi Informativ Shtetëror. Interesant është fakti se socialistët do të fokusohen veçanërisht tek “eskobari i drogës”, Klement Balili dhe lidhjet që ky i fundit ka pasur me LSI, ministrat e saj dhe ish-kryetarin Meta, pasi Balili ishte kreu i Transportit Rrugor në Sarandë. “Do mbledhim të dhëna që lidhen me gjendjen e funksionimit të radarëve më 2013. Do verifikohet gjitha puna e prokurorisë, pasi Kuvendi i vuri në dispozicion raportin. Do sqarojmë rrethanat si është arrestuar Dritan Zagani, në cilën fazë është procedimi në ngarkim të tij. Po ashtu do të fokusohemi edhe tek Arbër Çekaj, do kërkojmë informacion për veprimtarinë e tij. Rasti Balili është një tjetër çështje, kush janë pronat e zotëruara prej tij, kontratat e qerasë, koncensionare, sa grante janë të fituara nga Balilajt nga Ministria e Bujqësisë dhe lidhjet e tij politike. Do ndjekim dhe rastin e ish-ministrit Tahiri, cilat kanë qenë qëndrimet e Prokurorisë, si i ka ndjekur këto dy raste”, tha Felaj. Deputetja e ka bërë të artë se do hetohen lidhjet e LSI me të, pasi ai dhe familja e tij kanë pasur kontrata qeraje me ish-ministrat e LSI dhe kanë fituar grante prej tyre. Përmes kësaj lëvizjeje, PS po provokon përplasjen e radhës me ish-kreun e LSI, Ilir Meta, duke tentuar t’i nxjerrë në pah lidhjet me njerëzit e inkriminuar. Kujtojmë që marrëdhëniet mes Ramës dhe Metës janë të tendosura që pas çështjes së detit dhe kreut të SHISH, ku Presidenti nuk e ka dekretuar akoma Helidon Bendon.

Hetim për lidhjet e Berishës me kanabisin

Nga ana tjetër, përplasje pritet të ketë edhe mes mazhorancës dhe familjes Berisha. “Mollë sherri” pritet të bëhet fenomeni i kanabisit ku PS do të kërkojë informacione edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha e djalin e tij dhe lidhjet e tyre me kanabisin. Ndërkohë pritet që ata të thërriten për të dhënë sqarime për këtë çështje. Ermonela Felaj u shpreh gjatë mbledhjes së komisionit nga SHISH do të kërkohen të dhëna edhe për trafikun e drogës dhe rastin e Lazaratit, ku pritet që t’i kërkojnë llogari Berishës për vendimin që mori gjatë kohës që ishte në pushtet për të mos ndërhyrë në këtë zonë. Ndërkohë, duke u bazuar tek deklaratat e Izet Haxhisë për djalin e ish-kryeministrit, Shkëlzen Berisha, socialistët kanë në plan që edhe për këtë të fundit të ketë hetim. “Do kërkojmë të dhëna për rastet e Lazaratit dhe Dukagjinit, nëse janë identifikuar autorët që kanë qëlluar ndaj policisë. Kërkesat për ekstradim të shtetasve shqiptarë nga 2005-2018, urdhër-arreste nga Interpol për shqiptarët e përfshirë në aktivitet kriminal dhe sa janë ekzekutuar këto urdhra. Një e dhënë tjetër e rëndësishme është ajo që lidhet me deklaratën e Berishës për Lazaratin, si dhe dëshmia e Izet Haxhisë për djalin e Berishës. Trafikimi i heroinës dhe kokainës, sasia që është kapur dhe grupet që janë goditur. Do të na duhet dhe një dëshmi nga ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha”, tha Ermonela Felaj.