Vrasja në Kamëz, policia: Kemi gjurmët e autorëve, kamera fiksoi skenën

Zbardhen detaje të reja nga vrasja në Kamëz mbrëmjen e djeshme. Burime nga policia pohojnë për Report Tv se janë zbuluar gjurmët e autorëve të tentativës së grabitjes në Kamëz që përfundoi me një të vdekur dhe një të plagosur.

Grupi hetimor pohon se ka mbledhur prova që do të çojnë shumë shpejt në identifikimin e autorëve. Dy autorët që u futën në market, dyshohet se i ka ndihmuar edhe një person i tretë për t’u larguar. Gjithashtu, Report Tv mëson se në arkën e marketit të çiftit Buçi janë gjetur 10 mijë lekë, xhiroja ditore.

Provat do çojnë shumë shpejt në zbulimin e emrave të dy grabitësve. Nga kamerat e sigurisë nuk dallohet fytyra, por janë siguruar gjurmë të vlefshme. Dyshohet se autorët janë larguar fillimisht me këmbë pasi qëlluan mbi çiftin Buci. Dy grabitësit ishin me pistoleta në dorë, kanë dalë me këmbë nga dyqani dhe dyshohet se i ka ndihmuar një person i tretë për t’u larguar me makinë. Fakti që fillimisht grabitësit janë larguar me këmbë dhe më pas me makinë, shton dyshimet se ata janë banorë të zonës.

Burime nga grupi hetimor i policisë

Deri tani janë shoqëruar 27 persona për vrasjen. Ata kanë deklaruar se dëgjuan të shtëna dhe se i morën se janë fishekzjarrë.

Dëgjuam të shtënat dhe i dinim se ishin fishekzjarrë. Nuk e dimë se kush mund ta ketë kryer vrasjen

Dëshmia e njërit prej të shoqëruarve në komisariat
Nga ngjarja mbrëmë në Kamëz humbi jetë Agim Buçi, gruaja e tij u plagos dhe ndodhet në spital, ndërsa shpëtoi djali 6 vjeç, pasi u fut poshtë banakut.