Taksa e rrugës, Rama anullon axhendën, mbledh urgjent qeverinë

Burime për SotNews bëjnë me dije se Kryeministri Edi Rama ka anuluar axhendën për ditën e sotme. Ai ka thirrur urgjent mbledhjen e qeverisë për të diskutuar mbi taksën e Rrugës së Kombit pas ngjarjeve të trazuara që kanë ndodhur këto ditë që sollën edhe 11 të arrestuar nga protesta në Kukës.

Edhe zv.kryeministrja Senida Mesi është kthyer me urgjencë nga Shkodra për në Tiranë ku ishte në një takim me ambasadorin anglez Duncan Norman dhe kryetaren e bashkisë, Voltana Ademi.

Para se të largohej me urgjencë për në Tiranë Mesi iu përgjigj akuzave të kryebashkiakes së Shkodrës Voltana Ademi, pasi kjo e fundit sulmoi qeverisë. Kur numri dy i qeverisë u ngrit nga vendi për t’u larguar, deputeti i PD Romeo Gurakuqi, i pranishëm në takim i tha Mesit se ajo nuk mund të ikte në këtë mënyrë sepse duhet që të japte përgjigje siç ishte edhe arrestimi i 11 protestuesve në Kukës për tarifën e Rrugës së Kombit.

Por, zëvendeskryeministrja i bëri të ditur se ka një mbledhje urgjente në Tiranë dhe u largua nga takimi.