Shpërthen Eduart Selami: Basha është një gënjeshtar!

Zërave kritikë ndaj kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, i është bashkuar edhe Eduard Selami, ish rivali i tij në zgjedhjet brenda partisë. Duke folur në Forumet UET, Selami ka thënë se Basha u rizgjodh kryetar i PD-së me vota të vjedhura. Sipas tij ai mbetet një gënjeshtar serial, që nuk mund ta reformojë Partinë Demokratike.

“Unë dal dhe bëj idealistin dhe them që kjo është mënyra më e mirë. Ia kanë kapur dhe ai prapë nuk e dënon dhe ma promovon. Atëherë është zhgënjim. Ti je mbrapa kësaj gjëje. Ti nuk je lideri. Ti ke aftësi tejet të kufizuara politike. Ti je ai rrëmbyesi që do ta mbash me çdo kusht. More një listë dhe e nxore nga xhepi siç i thashë unë, që është turp i tij. Listën nuk e dinte njeri kush do të jetë kandidat për deputet. Theu statute dhe të gjitha. Edhe Sali Berisha i bënte formalisht. Mos të pyes njeri që unë e ngatërroj për demokrat Sali Berishën, është një autokrat klasi. Po kishte karizmë. Ky shkon edhe më tej. Ai të paktën ia kishte dhënë një kryesie përpara. E mbylli këtë punë me turpin e vet. A humbe në mënyrën më spektakolare?! I thamë hajde të bëjmë një analizë. Jo tha, ta zgjedhim një herë të mos shahemi. Kanë kaluar 10 muaj”, u shpreh Selami.