Sherr mes dy barinjve për kullotat, vritet me automatik i riu

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tropojë, ku një 25-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri. Policia njofton se viktimë është shtetasi R. A., i cili është vrarë nga 23-vjeçari S. R., teksa po kulloste bagëtitë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Luzhë, ku pas një konflikti mes dy të rinjve që po kullosnin bagëtitë, 23-vjeçari ka marrë automatikun dhe ka qëlluar për vdekje shokun e tij. Sipas burimeve mësohet se shkak i sherrit mes dy të rinjve kanë qenë pronat dhe bagëtitë, ku 23-vjeçari sapo ka vrarë shokun ja ka mbathur, duke u fshehur në mal.

Informacion paraprak
Më datë 06.04.2018, në malin e fshatit Luzhë është vrarë me armë zjarri shtetasi R.A., 25 vjeç. Shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe nga veprimet paraprake ka rezultuar se shtetasi R.A i cili po kulloste bagëtitë në fshatin Luzhë dyshohet se është vrarë me armë zjarri automatik, për motive të dobëta, nga shtetasi S.R., 23 vjeç, banues në Luzhë.

Policia po bën krehjen e zonës me qëllim kapjen e autorit të dyshuar. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes ku po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.