Shehaj: Të korruptuarit u bashkuan kundër popullit

Deputeti i PD-së, Agron Shehaj ka shpërthyer kundër deklaratës së Dhomës së Tregtisë me në krye Nikolin Jakaj, të cilët dolën në mbrojtje të qeverisë Rama për çështjen e taksës në Rrugën e Kombit.

Në një status në facebook, Shehaj thotë se: ”U bënë të gjithë bashkë, me kuç e me maç, biznesmenët e mëdhenj u vunë sot në krah të Gjyqtarëve, Ministrave, Politikanëve të korruptuar”.

Statusi i plotë

Nje komplot i Kastës kundër Popullit. U bënë te gjithë bashkë, me kuç e me maç, biznesmenët e mëdhenj u vunë sot në krah te Gjyqtarëve, Ministrave, Politikanëve të korruptuar. Meskinët dhe servilët u bashkuan nën flamurin me sorrë të grabitjes kombëtare. Ky është Kapitalizëm parazit dhe provincial. Nëpërmjet tij biznesmenët e tenderave, lejeve të ndërtimit, koncesioneve sulmojnë protestuesit. Pothuajse asnjë prej tyre nuk prodhon një produkt apo një shërbim në treg të lirë dhe transparent. Këta kapitaliste, të hurit e të litarit, në vënd që të ulin kokën dhe të heshtin, bëhen me pushtetin kundër të varfërve. Dihet pse: pronat që mbrojnë tani janë ato që kanë vjedhur dje me korrupsion, forcë dhe servilizëm politik!