‘Rruga e Kombit’, Rama: Sistem të posaçëm pagese për banorët e Kukësit

Një ditë pas protestës së dhunshme në “Rrugën e Kombit” ku iu vu flaka sporteve të firmës koncesionare e cila do mbledhë taksën për automjetet që do kalojnë aty, kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë një konference për shtyp se për banorët e zonave të Kukësit do ketë një sistem të posaçme pagese. Kreu i qeverisë tha se firma koncesionare do aplikojë abone për automjetet e banorëve të zonave përreth të cilët kalojnë më shpesh në autostradë, ndërsa ripërsëriti se tarifa 5 euro mbetet e panegociueshme.

“Nuk ka asnjë shans që kjo rrugë të mirëmbahet pa pagesë, është e pamundur. Dhe nga ana tjetër është plotësisht e parashikuar që të ndërtohet një sistem i posaçëm për të gjithë përdoruesit e shpeshtë të rrugës. Të gjithë banorët e zonës që do përdorin rrugën shpesh do kenë kartën, abonenë për 1 muaj apo gjashtë muaj kjo do diskutohet. Për 6 muaj do identifikohen përdoruesit e shpeshtë, sipas ekspertizës ndërkombëtare. Tarifa 5 euro mbetet e panegociueshme, s’ka diskutim”.

Rama sqaroi se 2 muajt e lënë si afat qarkullimi pa pagesë në rrugë, do shërbejnë si periudhë fushate për të informuar banorët nga qeveria dhe kompania koncesionare. Kreu i qeverisë tha se banorët e zonave të Kukësit janë disinformuar, ndërsa shtoi se dëmi i shkaktuar dje te firma koncesionare do dëmshpërblehet nga buxheti i shtetit. Zhvillimet e një dite më parë në Kukës Rama i quajti vandalizëm, ndërsa aktet e dhunës i cilësoi të planifikuara.

“Disinformimi dhe manipulimi i njerëzve në Kukës ka triumfuar mbi shpjegimet që ne kemi dhënë mbi debatet ditët e fundit. Të tërhiqesh nuk është asnjëherë e paudhë nëse duhet të tërhiqesh. Këtu s’ka tërheqje por të luftuar disinformimin. Më vjen shumë keq që në këtë proces pasi kjo kontratë është nënshkruar prej 2 vitesh. Pasi ka një vit që kompania ka filluar punën dhe ka bërë goxha punë deri tani, ngrihet një furtunë në gotë dhe derdhet benzinë e ndizet zjarr mbi pronën e përbashkët dhe mbi një investim që sa për dijeni do duhet ta dëmshpërblejë përsërsi buxheti i përbashkët. Në këtë fushatë disinformimi që me dashje apo pa dashje ju keni rolin tuaj mund të kishim bërë më shumë për ta luftuar. Do bëjmë atë që duhet për të informuar siç duhet publikun dhe në mënyrë të posaçme banorët. Tufa e vandalëve do marrë ndëshkimin e merituar. Policia ruajti gjakftohtësinë përballë vandalëve. Protesta e djeshme nuk përfaqëson banorët e Kukësit. Dhuna dhe zjarri në protestë ishte e planifikuar.

Kreu i qeverisë tha se kompania koncesionare ka investuar 15 milionë euro përgjatë autostradës, ndërsa gjatë dimrit tha se nuk ka pasur bllokim të rrugës për shkak të reshjeve të dëborës falë borëpastrueseve të firmës të cilat kanë qenë në punë gjatë gjithë kohës. “Nevojitet ndërtimi i urës së re të Kukësit e cila nuk ekziston. Shtatë mbikalime të reja në pikat ku është e nevojshme për banorët, komunitetet përgjatë rrugës të cilat nuk ekzistojnë. Vetëm projekti me studimin gjeologjik, sepse ishte rrugë pa studim gjeologjik i cili ka kushtuar 2.8 mln euro. Të gjitha këto janë masa financiare të rënda dhe të domosdoshme për të garantuar vazhdimësinë normale të funksionimit të rrugës. Nëse ne nuk do të veprojmë kështu dhe nuk do të vendosnim pagesën për përdoruesit e rrugës, do të ishim më të qetë, por do të nxisnim rrënimin e mëtejshëm të rrugës dhe ajo do dilte jashtë kushteve të sigurisë, do bëhej e papërdorshme dhe do duhej një ndërhyrje masive. Ai (Berisha) ka thënë se e ndërtuam rrugën, por nuk e mirëmbajmë dot dhe ka thënë të vërtetën si rrallë herë”, tha Rama.

Duke u ndaluar te tarifa e vendosur për automjetet që do lëvizin në Rrugën e Kombit, Rama tha se erdhi si rrjedhojë e një studimi dhe është marrë për bazë fluksi i lëvizjeve. “Tarifa i referohet fluksit të lëvizjeve. Në verë ka fluks, ndërsa në dimër numër më të ulët të lëvizjeve. Kjo është historia e tarifës. Në kontratë ka edhe trafik rrisk, nësa trafiku nuk garantohet është buxheti i shtetit që e mbulon. Taksa e qarkullimit nuk ka lidhje me mirëmbajtjen e rrugëve, por është taksë kombëtare. Kjo nuk është tarifë patriotizmi. Dhe ato historitë që këtu do ndërpriten flukset, janë qesharake, asgjë nuk do ndërpritet, kushdo që vjen do vazhdojë të vijë, kushdo që ikën do vazhdojë të ikë. E thotë studimi dhe jo unë”.