“Rruga e Kombit”: Ja kush përfiton abone

Ish ministrja e Ekonomisë, Milva Ikonomi tha se brenda 6 muajsh do të vendoset abone për përdoruesit e shpeshtë në ‘Rrugën e Kombit’. E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, ish ministrja tha se tarifa është e nevojshme dhe sqaroi edhe kategoritë që do përfitojnë nga aboneja.

“Tarifa në Rrugën e Kombit është e nevojshme. Kemi një reagim të dhunshëm dhe kemi edhe një reagim qytetar dhe këto duhet të ndahen. Në kontratë është shënuar se në vitin e dytë do rishihet sërish tarifa. Për përdoruesit e shpeshtë do ketë abone e cila do të vendoset brenda 6 muajve. Kategoritë që përfitojnë abone janë ata që udhëtojnë në zonën përqark, ata që janë përdorues të shpeshtë të rrugës dhe ata që janë me mbështetje sociale. Kompania ka matës dhe në këtë mënyrë ne do marrim informacion. Ata që lëvizin që kanë përshembull për probleme shëndetësore dhe u duhet të udhëtojnë”- tha Ikonomi.

Sa i përket çmimit të vendosur, ish ministrja u shpreh se është bërë analizë në bazë të përodrimit të rrugës dhe jo në bazë të të ardhurave.

“Tarifa nuk u vendos në bazën e të ardhurave, por në bazë të përdorimit të rrugës. Rruga ka një fluks të madh gjatë verës dhe ka nevojë për mirëmbajtje. Masa e tarifës është një masë e hartuar edhe me ndihëm e ekspertëve. Kjo tarifë ka ardhur me modelet praktike në kushtet e Shqipërisë. Unë besoj se kjo është një nga rrugët që lidh Shqipërinë më shumë me rajonin. Së shpejti do tariforen edhe rrugë të tjera në akse kryesore”- tha ish ministrja.