Rama flet pas takimit me Merkel: Gjermania nuk ka kushte shtesë për hapjen e negociatave

“Gjermania nuk ka kushte shtesë për Shqipërinë për hapjen e negociatave, ndërsa vendimin do ta marrë në javët në vazhdim. Atmosfera në Berlin është pozitive. Nuk kemi pasur objektiv që të marrim ‘PO’ publike të Merkel apo të Gjermanisë gjatë kësaj vizite, pasi vetëm ata që nuk e kanë idenë mund ta prisnin këtë gjë’.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat nga Rinasi pas kthimit nga Gjermania, ku zhvilloi një takim me kancelaren Angela Merkel dhe Komisionin e Jashtëm të Bundestagut për të lobuar që të bindë Berlinin që të japë ‘OK’ për hapjen e negociatave për Shqipërinë në qershor. Rama e cilësoi si të suksesshme vizitën në Gjermani.

Besoj që takimi me Merkel, që ka pasur edhe konferencën për shtyp, ka qenë një moment shumë me rëndësi, shkëmbyem opinionet lidhur me raportin e progresit, rezultatet e arritura për hapjen e negociatave dhe përmbushjen e parakushteve, sikur i konsideroi Merkel, ato që janë pjesë të procesit në marrëdhëniet me KE. Po ashtu kemi pasur edhe një bisedë goxha të gjerë lidhur me rajonin me zhvillimet. Kjo vizitë mund të konsiderohet e suksesshme për objektivat, jam i bindur që në fund të vizitës ka një kuptim më të plotë dhe detajuar nga aktorët lidhur me pozicionin që gjendet Shqipëria dhe me legjitimitetin e plotë të kërkesës sonë.

Edi Rama

Pyetjes nëse gjatë takimit me Merkel i është kërkuar që Tahiri t’i dorëzohet drejtësisë, Rama pranoi se në komisionin e Bundestagut është pyetur për këtë çështje, ndersa akuzoi opozitën se po eksporton baltë.

Është bërë një pyetje në Komisionin e Çështjeve Europiane për këtë çështje dhe pozicionin tonë në këtë proces. Pyetja ka pasur të bëjë në thelbin e shqetësimit, edhe me baltën e eksportuar atje dhe tregimin e deformuar që është bërë atje

Edi Rama

Kryetari i Komisionit parlamentar për çështjet e Bashkimit Europian në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum përmes një statusi në Facebook u shpreh sot se i ka thënë kryeministrit shqiptar Edi Rama dje se kërkesa për hapjen e negociatave është e parakohshme. I pyetur nga gazetarët pas kthimit nga Gjermania, Rama e mohoi një gjë të tillë.

Ai nuk ma ka thënë këtë gjë, por nuk është surprizë për mua, kështu e mendon, është një nga qindra deputetët e Bundestagut, mendimi i tij ka atë peshë që ka, por nuk më gjen të papërgatitur. Sot jam më optimist se kur u nisa për në Gjermani.

Edi Rama