RAMA E THOTË HAPUR: TANI RRUGA MË E VËSHTIRË, DUHEN ARRESTIME DHE NDËSHKIME

Kryeministri Edi Rama paralajmëron se rruga më e rëndësishme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, pas çeljes së negociatave, do të jetë e vështirë, plot sfida por e mbushur me arrestime dhe ndëshkime në nivele të larta.

Rama tha se pas kalimit në filtrat e Vettingut, koha po vjen që gjykatës, prokurorë, politikanë dhe keqbërës të ndëshkohen njësoj si fajtorët në të gjitha nivelet e shteteve të BE-së.

Fjala e Ramës në deklaratë për media:

Këto nuk janë dhurata, Brukseli është një makineri e pamëshirshme që sheh e njeh vetëm meritat. Rekomandimi për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE nuk është fundi, por futja në një fazë të re të reformave dhe përshkallëzimi i mëtejshëm i luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

Reforma në Drejtësi është shembulli më i mirë. Nëse për të marë rekomandimin e sotëm ne duhet të ligjëronim vettingun, vitet që kemi përpara ne duhet të provojmë pa ekuivok ndëshkimin nga drejtësia. Gjykatësit dhe prokurorët që nuk kalojnë dot vettingun, politikanët që i kanë ikur me sukses dhe keqbërësit e mëdhenj që duart e përgjakura i kanë larë me sapunin e drejtësisë, duhet të paguajë, njësoj siç duhet të paguajnë fajtorët e të gjitha niveleve në BE.

Periudha e negociatave është periudha e ndarjes së shapit nga sheqeri. Periudha e marrjes së plotë të përgjegjësive nga të gjithë. Si e tillë kjo është larg së qeni një periudhë e qetë. Por do jetë një periudhë e ngarkuar për të gjithë.

Dora jonë është sot përsëri e shtrirë ndaj opozitës, dhe unë e ftoj sot në emër të të gjithë demkratëve e socialistëve por mbi të gjitha në emër të të gjithë fëmijëve, që të mos tregojmë me gisht njëri tjetrin por t’i dalim shqiptarisht të ardhmes tonë europiane.

Le t’i gëzohemi sot kësaj dite të shënuar që hyn në histori si një ditë me një shënim të veçantë. Si kryeministër dhe kryetar i PS ndjehem shumë i privilegjuar, por unë nuk e lexoj rekomandimin e shumëpritur si fitore e një partie politike. Kjo nuk është as fitorja e qeverisë që luftoi me mish e me shpirt dhe u baltos deri në kockë nga opozita që la kockat për ta bërë të pamundur këtë ditë.

Sot kanë fituar shqiptarët që të gjithë, pa asnjë dallim e kufi, sot është Shqipëria që ka fituar një status të ri dhe gjendet më pranë shteteve europiane.

Lejomni që të guxoj sot dhe t’ju them me bindjen time më të fortë që siç ja dolëm në këto dy sprova, do t’ja dalim edhe në të tretën. Ne do ta çojmë deri në fund amanetin e Skënderbeut, Rilindasve, martirëve të diktaturës dhe të gjithë atyre shqiptarëve të panjohur.