Që Kalimashi të mos i ngjajë armëve kimike

Nga Skënder Minxhozi

Në orët e fundit kryeministri Edi Rama ka dalë dy herë para shqiptarëve për të davaritur retë e tymit që u ngritën nga vendkalimet e pagesave në tunelin e Kalimashit.

Ka bërë më në fund atë që, në kushte shumë më rutinore dhe normale, duhej ta kishin bërë ministrat e tij të financës dhe punëve publike muaj më parë.

Është dashur dhuna dhe përplasjet e dënueshme të protestuesve kuksianë, që të ketë një moment kthjellimi dhe sqarimi, rreth arsyeve që çuan në vënien e tarifave për kalimin në Rrugën e Kombit.

Protesta në tunelin e Kalimashit mori përmasa qartësisht antiligjore, të cilat nuk mund të gjejnë asnjë justifikim, as tek paqartësia që krijoi koncesioni i rrugës së Kombit, as tek vonesat e lexueshme të qeverisë në sqarimin dhe kontaktet me komunitetet që preken nga ky koncesion.

Djegia dhe shkatërrimi nuk duhet të jenë asnjëherë në menunë e protestave në një vend normal.

E megjithëse ne vështirësisht quhemi një shtet normal, sipas standartit europian të të qenit i tillë, sërish ajo që pamë në Kalimash të shtunën, ishte një shfaqje që e kishim harruar, që nga kohë që s’mbahen mend.

Një parim i pashkruar i mjekësisë thotë se është më mirë të parandalosh, sesa të mjekosh. Dhe qeveria duhet ta kishte parandaluar atë që ndodhi në protestën e fundit.

Më së paku duhej të ishte angazhuar që të shuante ato flakë që po ndizeshin gradualisht, pas njoftimit për listën e tarifave të rrugës, të cilat tani na del se do të rishihen me autoritetet lokale të Kukësit. Të paktën sa i përket banorëve lokalë, të cilët ishin edhe epiqendra e protestës.

Rruga e Kombit po bjerret në sytë e të gjithëve atyre që e frekuentojnë. Po shemben skarpatet e pasistemuara, po dëmtohen ndarëset e korsive, po degradon asfalti dhe vijojnë të mbeten të papërfunduara veprat e artit, urat e mbikalimet që s’u bënë kurrë nga qeveria paraardhëse.