Pse dështoi mosbindja civile?!

Ashtu siç kishte paralajmëruar, opozita protestoi sot për rreth dy orë, në kuadër të aksionit për mosbindje civile.

Aksioni i opozitës u shoqërua me bllokimin e katër akseve kryesore rrugore.

Qytetarët dhe përfaqësuesit e partive politike kërkuan lirimin e 11 kuksianeve, heqjen e traut në Rrugën e Kombit si dhe heqjen e TVSH-se për biznesin.

Akset e bllokuara nga protestuesit ishin: rrethrrotullimi i Bradasheshit për Lindjen, rrethrrotullimi në Çerme për Jugun, rrethrrotullimi i Milotit për Veriun, dhe në Vorë për Shqipërinë e Mesme.

Por ngjarja e sotme më shumë sesa mosbindje civile, ashtu siç i pëlqen ta cilësojë opozitës, duket të jetë një aksion opozitar. Rrugët mund të bllokohen edhe me 100 persona, por Basha dhe Kryemadhi nuk e mohojnë dot atë që ishte e dukshme për të gjithë ata që duan ta shohin, se pjesëmarrja e qytetarëve në protestë ishte shumë e ulët.

Në Elbasan dhe në Milot për të justifikuar numrin e ulët të protestuesve, u dogjën goma makinash që të krijohet tym, dhe për të treguar “tensionim” të situatës.

Një tjetër fakt që tregon dështimin e aksionit për mosbindjen civile, është edhe fakti që protesta u mbyll para kohe. Opozita kishte paralajmëruar se do të mbanin të bllokuara katër akset rrugore kryesore për 3 orë, por në fakt protesta zgjati vetëm dy orë.

Fakti që në protestë kishte një pjesëmarrje minimale, është një mesazh i fortë si për kreun e PD, Lulzim Basha ashtu edhe për kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Kjo tregon se qytetarët shqiptarë nuk e shohin si alternativë opoziten me në krye Bashën dhe i ndjekur nga pas nga Monika Kryemadhi, e cila ende nuk ka ftohur karriget e pushtetit.

Në rast se dy qarqe si Korça dhe Elbasani me gati 900 mijë banorë së bashku sjellin vetëm 200 vetë në protestë, kjo është një tjetër provë për Lulin se i dështoi plani për mosbindje civile dhe se qytetarët nuk e besojnë.

Mosbindje civile mund të quajmë atë të Kukësit, e cila “shkundi” dhe zgjoi nga gjumi kreun e PD, por jo kjo e sotmja kurrësesi nuk mund të quhet mosbindje civile, por vetëm një aksion opozitar./ CNA.al