Protesta tek rruga e Kombit, Gjiknuri: Dëmi miliona euro, nuk iu bë kompanisë private, por taksapaguesve shqiptarë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri në një bashkëbisedim me gazetarët sot rreth çështjes së rrugës Milot-Morinë, ka folur për protestën e dhunshme që ndodhi të shtunën në Rrugën e Kombit dhe tha se dëmi i shkaktuar shkon në disa miliona euro dhe nuk i është bërë një kompanie private, por taksapaguesve shqiptarë.

Ai tha se në protestë nuk ishte gjithë qyteti i Kukësit, por persona me precedentë penalë që janë të nxitur politikisht.

“Shpreh keqardhjen e thellë për dhunën barbare, në një objekt publik se pavarësisht se menaxhohet nga një koncesionar privat, rruga është publike dhe i përket shtetit shqiptar.

Kjo dhunë barbare u nxit nga zjarrëvënësit e Tiranës. Në protestë nuk ishte i gjithë populli i Kukësit, por ishte një grup i vogël njerëzirsh të motivuar politikisht, njerëz me precedentë që s’kanë lidhje me protestën dhe tarifën e rrugës. Janë të nxitur dhe manipuluar politikisht nga ata që e kanë harruar atë cështje dhe kanë kaluar në çështje të tjera sepse synimin e kanë politik se duke mos ardhur në pushtet me votë kanë gjetur forma të tjera për gjija të destabilizuar vendin me shpresën se do kenë mundësi të vijnë në pushtet”.