Protesta e biznesit/ Ku ishin strukturat e Bashës ?

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar një ditë më parë, disa biznese të vogla kanë mbyllur qepenat për 1 orë në shenjë proteste kundër përfshirjes në skemën e TVSH.

Në përgjigje të kërkesës së vetë kreut të PD, Lulzim Basha, protestës i janë bashkuar edhe disa deputetë të opozitës.

Basha dje mblodhi grupin parlamentar të PD dhe kërkoi mbështetje maksimale të të gjitha strukturave të protestës së biznesit. Në mbledhje u tha që strukturat e PD do kenë një angazhim maksimal në protestën e sotme të biznesit të vogël jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera.

Edhe vetë lideri historik i PD, ish-kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar kërkoi angazhim maksimal për protestën e sotme.

Por ajo që ndodhi ishte e kundërta e asaj çfarë u kërkua në mbledhjen e grupit parlamentar të PD.

Përjashtuar tregu i Medresesë në Tiranë, ku kishte më shumë qepena të mbyllura edhe pse shumë prej tyre vijuan normalisht punën, protestës së biznesit ju bashkuan disa deputetë të opozitës. Ndërsa dyqanet e tjera në Tiranë nuk i janë bashkuar kësaj proteste.

Por një tjetër fakt që tregon dështimin e Bashës ishte dhe fakti se strukturat e PD-së, të cilave ju kërkua angazhim maksimal, nuk u duken asgjëkundi./ CNA.al