Premier League/ Sot luhet derby i Mançesterit, Guardiola: Mendja te Liverpool

Sot duke fituar derbin e Manchesterit, City do të jetë kampione e Anglisë megjithatë Pep Guardiola e pranon se njërin sy e ka tek ndeshja e kthimit në Champions ndaj Liverpool. Në “Etihad Stadium” duke nisur nga ora 18:30 luhet derbi i Manchesterit ku City pret United. Të dyja skuadrat janë stërvitur me grupin e plotë. Tek City është rikthyer edhe Kun Aguero që është i gatshëm për sot dhe në stërvitje lojtarët janë parë të buzëqeshur pavarësisht humbjes në Champions.

Trajneri Guardiola nuk ka dhënë detaje nëse do të luajë me formacionin më të mirë apo do të lërë pushim disa lojtarë por ka thënë: “Ne do të mendojmë për Liverpool pas derbit ndaj United . Duam të krijojmë një atmosferë të mirë pasi kualifikimi në Champions është i hapur. Ndaj United do futemi në fushë për të fituar kjo nuk ka dyshim por e pranoj që mendjen e kemi edhe tek ndeshja në Champions”, e mbyll trajneri i Cityt.

Edhe United është gati për derbin dhe trajneri Mourinho i ka të gjithë lojtarët në dispozicion. Tekniku portugez kërkon maksimumin nga lojtarët e tij për të luajtur një ndeshje prestigji por pranon se objektivi i United është të ruajë vendin e dytë dhe sqaron: “Motivimi im është që të përfundojmë në vend të dytë pasi kemi shumë muaj në këtë pozicion. Ne duam të luftojë për të dalë të dytët dhe na duhen pikë. Objektivi im në ndeshjen ndaj Cityt është të marrë pikë për të dalë i dyti”, e mbyll Mourinho. Për kompanitë e basteve City është favorit për ta fituar derbin që do ta shpallte matematikisht kampion gjashtë javë nga fundi.

Ndeshjet e sotme ne Premier League:

  • 13:30 Everton – Liverpool
  • 16:00 Bournemouth – Crystal Palace
  • 16:00 Brighton – Huddersfield
  • 16:00 Leicester – Newcastle
  • 16:00 Stoke – Tottenham
  • 16:00 Watford – Burnley
  • 16:00 West Brom – Swansea
  • 18:30 Manchester City – Manchester Utd