Përfundon takimi Rama-Merkel: Vlerësoj reformat e kryera, Shqipëria ka bërë arritje të mëdha

Ka përfunduar takimi midis kryeministrit Edi Rama dhe kancelares gjermane, Angela Merkel në Berlin.

Pas takimit Rama dhe Merkel kanë mbajtur edhe një konferencë për shtyp.

Gjatë fjalës së saj sipas burimeve nga takimi, thuhet se kancelarja gjermane ka mbajtur një qëndrim optimist lidhur me integrimin e Shqipërisë në BE.

Kancelarja Gjermane tha se Shqipëria që nga takimi i parë me Ramën ka bërë arritje të mëdha.

Merkel vlerësoi se Shqipëria kishte kryer një sërë reformash, siç është Reforma në Drejtësi dhe veçanërisht vettingu i prokurorëve dhe gjykatësve.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë një perspektivë evropiane për të qenë anëtar të Bashkimit Evropian.

Komisioni propozoi më 17 prill që negociatat e pranimit me Shqipërinë të mund të hapen. Ne do ta diskutojmë atë në Këshillin Evropian në fund të qershorit.

Ekzistojnë një numër parakushtesh për të hyrë në negociatat e pranimit. Shqipëria ka punuar tashmë shumë për disa gjëra. Ekzistojnë disa kushte për fillimin e negociatave të pranimit.

Ne do të japim opinionin tonë përfundimtar gjatë disa javëve të ardhshme nëse ka ende gjëra për të bërë, nëse ka progres të mjaftueshëm dhe gjithashtu ta diskutojmë këtë me homologët tanë evropianë.

Takimi i sotëm është shumë i rëndësishëm për mua, për të parë nga vetë kryeministri se si ai e sheh zbatimin e kushteve, dhe se si ne mund të vazhdojë të mbështesim Shqipërinë në reformat; sepse ne e kemi bërë gjithmonë atë dhe dëshirojmë ta bëjmë përsëri.

Më lejoni të them në mënyrë eksplicite se Shqipëria ka nisur projekte të rëndësishme reformash dhe se është bërë përparim.

Vettingu forcon sistemin ligjor dhe do të zgjerohet edhe në polici”- , ka deklaruar kancelarja gjermane Angela Merkel në konferencë.(TemA)